Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINAL FOUR | PEJA - PRIZRENI'16

Drama i takon Pejës, arrihet finalja

Fotot: LigaUnike/fb

Drama i takon Pejës, arrihet finalja


20 April, 2022 @22:03

Ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme gjysmëfinalja ndërmjet Pejës dhe Prizrenit’16, ndërsa organizatorët e Final Fourit duke shfrytëzuar gabimet e mysafirëve në sulm në momentet e fundit të ndeshjes kanë arritur të këndellen dhe të fitojnë duelin ngushtë, për të siguruar finalen e dytë radhazi në Ligën Unike.

Peja mposhti Prizrenin’16 98-94 [23-24, 23-23, 22-28, 30-19] për të siguruar finalen, e njëjtë sikurse në edicionin e parë të garës, ndaj kampionit aktual dhe mbrojtësit të titullit, Ylli.

Ish-lojtari i Prizrenit’16 që në gjysmëstinor kaloi te Peja, Courtney Fells ka qenë më efikasi, derisa ka qenë i shkëlqyeshëm edhe për tri pikë, duke shutuar me saktësi 50% nga 12 tentime, ndërsa ndeshjen e përfundoi me 31 pikë të shënuara, 2 asistime dhe 3 topa të rrëmbyer.

Pos tij është dalluar edhe i zakonshmi Dardan Berisha, që luajti me 24 pikë, ndërsa shtoi edhe 5 asistime në llogari gjatë ndeshjes.

Rikthimi i Urim Zenelajt në parket nuk dha atë që priste trajneri Arbnor Rifati. Qendra gjigande e Prizrenit’16 kontribuoi me vetëm 5 pikë të shënuara në rikthimin e tij pas lëndimit, ndërsa me nga 20 pikë më efikasit te ekipi bardhezi ishin Darrell Davis me 20 dhe Xavier Cannefax me po aq të shënaura. Davis kreu ndeshjen me double-double pasi që arriti edhe 14 kërcime.

Peja në finale ndeshet nesër mbrëma me Yllin ku do të kërkojë trofeun e parë të kësaj gare si dhe trofeun e parë pas një kohe të gjatë në Karagaç, derisa ekipi suharekas do të mundohet të mbrojë titullin e fituar në edicionin e kaluar.

Para tyre, Teuta e Durrësit dhe Prizreni’16 do të luajnë ndeshjen për vendin e tretë.


 
Të gjitha lajmet nga Liga Unike