Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VËLLAZNIMI - RAHOVECI

Drama pas 2 vazhdimeve i takon Vëllaznimit

Foto: KBRahoveci/Sh. Berisha/fb

Drama pas 2 vazhdimeve i takon Vëllaznimit


18 September, 2022 @21:22

Një dramë e vërtetë u pa në Shani Nushi të Gjakovës sonte, derisa Vëllaznimi dhe Rahoveci bënë spektakël për shikuesit e mbledhur në palestër për të çuar ndeshjen në vazhdime dhe atë jo njëherë, por dy!

Pasi që ndeshja në kohë të rregullt përfundoi me rezultat 77-77 dhe pas vazhdimit të parë u krye 84-84, kuqezinjtë arritën që të tregohen më të saktë në vazhdimin e dytë të ndeshjes së pafund në Gjakovë, për të marrë fitoren e parë sezonale me plot mund, por në fund me meritë, 94-87 [22-19, 26-26, 20-17, 9-15, 7-7, 10-3].

Derisa Vëllaznimi shkonte mirë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, në çerekun e fundit Rahoveci i ndali në nëntë pikë dhe duke shënuar 15 sosh, çoi duelin në vazhdime.

TABELA AKTUALE

Vreshtarët u treguan mjaft të mirë në 10-minutëshin e fundit të ndeshjes. Gjithsesi Vëllaznimi vazhdoi luftën në vazhdime, ndërsa skuadrat duke luajtur me shumë kujdes, pasi që të dyja kishin nga katër lojtarë me nga katër gabime personale, gabonin në shut.

Shtatë-shtatë përfundoi vazhdimi i parë dhe ndeshja shkoi në të dytin vazhdim. E aty Vëllaznimi mori avantazhin që e kërkoi më shumë, falë pikëve të Damonte Dodd dhe Anthony Adger për të shkuar te fitorja e parë sezonale.

REZULTATET E XHIROS dhe XHIROT E RADHËS

Përndryshe, Dodd shkëlqeu në këtë ndeshje me statistika impresive, duke shënuar 16 pikë, 20 kërcime dhe rekord-bllokadash në Superligë, 9 sosh!!! Ai bëri edhe 5 asistime për të përfunduar ndeshjen me indeks efiçence, 39!

Pos tij, u dalluan edhe Anthony Adger e William Brown, që dhanë nga 18 pikë, ndërsa Arbër Sinani u tregua jetik me treshen dhe dypikëshin e tij në vazhdimin e parë, derisa luajti 26 minuta e shënoi në total 10 pikë.

Musab Mala @ Rahoveci, dunks vs Vellaznimi

Te Rahoveci, që pësoi për herë të parë këtë stinor, më efikasi ka qenë Jahii Carson me 26 pikë e 5 asistime, ndërsa Chris Seeley ishte i vetmi te vreshtarët që luajti me double-double prej 14 pikëve dhe 12 kërcimeve.

Me këtë fitore, Vëllaznimi bëhet me bilanc 1-1, njëjtë sikurse Rahoveci.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga