Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KUPA E KOSOVËS / RAHOVECI - TREPÇA

Dramë e përmbysje, Rahoveci në gjysmëfinale!

Dramë e përmbysje, Rahoveci në gjysmëfinale!


11 February, 2020 @21:30

Pas Pejës, gjysmëfinalisti i dytë i Kupës së Kosovës për sezonin 2019/2020 në basketboll është Rahoveci, i cili ndeshjen tejet dramatike ndaj Trepçës e mbylli me fitore 97-95.

Ishte skuadra mitrovicase ajo që “për një shkallë” ishte më e mirë se Rahoveci në pjesën e parë të ndeshjes. Me mbrojtje stabile dhe me sulme të organizuara mirë, “xehetarët” në pushim mes pjesëve shkuan me 8 pikë epërsi, 37-45.

Në vazhdim, seria fantastike e Rahovecit në fillim të çerekut të tretë e ngushtoi rezultatin shumë në mes të këtij çereku, mirëpo mitrovicasit u mobilizuan shpejt dhe nuk lejuan ngushtim më tepër, duke shkuar në pushimin pas 3 çerekëve me epërsi 7 pikëshe, 61-68.

E padyshim tejet interesant ishte çereku i katërt, në të cilin Rahoveci me të gjitha forcat e provoi përmbysjen. Kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 49 sekonda lojë, rezultati në semafor shënonte 82-82. Pikërisht në këtë moment, pas një tollovie, gjyqtarët e ndeshjes vendosën që tribuna ku ndodhej “Torcida”, tifozëria mitrovicase, të zbrazej dhe kështu Trepça minutat e mbetura i luajti pa përkrahje të tifozërisë.

Në vijim, minutat e mbetura dolën të ishin fatale për Trepçën. Epërsia e mbajtur gjatë gjithë ndeshjes u zhduk, me “vreshtarët” që përmbysën gjithçka. Në çastet kulmore të ndeshjes, Atik Koshi me 9 pikë, të gjitha në çerekun e katërt, disa gjuajtje të lira të sakta nga Davis e McFolley si dhe një treshe vendimtare nga Altin Morina, bënë që Rahoveci ta kthente ndeshjen në kahun e tij, për të fituar në fund me rezultat 97-95.

Darell Davis me 37 pikë e 12 kërcime ishte pakrahasimisht më i miri te Rahoveci sonte, kurse në humbjen e Trepçës sonte u veçua më së shumti Dj Hanes me 26 pikë, 7 asistime e 6 kërcime.

Për t’u përmendur është fakti që te Rahoveci për shkak të lëndimit sonte mungoi Alban Veseli, një prej startuesve të rregullt të skuadrës, lojtar ky që mund t’i kthehet Rahovecit për ndeshjen gjysmëfinale ndaj Pejës.

SKEMA E KUPËS

Gjysmëfinalja mes Rahovecit dhe Pejës luhet më 13 shkurt (pas dy ditëve), kurse dy gjysmëfinalistët e tjerë përcaktohen nesër (shiko çiftet çerekfinaliste në skemë).


 
Të gjitha lajmet nga