Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DREJT RUMANISË

Ekipi i Kosovës niset për Bukuresht

Foto: A. Paçarizi/ TOPSPORTI

Ekipi i Kosovës niset për Bukuresht


11 September, 2023 @11:49

Kosova luan nesër ndeshjen e dytë të shtatorit në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, ndërsa është mysafire e Rumanisë në Bukuresht më 12 shtator.

Dardanët janë nisur sot nga aeroporti Adem Jashari drejt Rumanisë, ndërsa FFK ka bërë të ditur se ekipi udhëton me shpresë për rezultat pozitiv.

“Kombëtarja e Kosovës është nisur nga aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë drejt Bukureshtit, ku nesër do të luajë ndeshjen tejet të rëndësishme kundër Rumanisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Dardanët udhëtuan me plot motiv, dëshirë e shpresë për rezultat pozitiv!” — ka bërë të ditur FFK-ja.

Në ndeshjen e qershorit, Kosova barazoi ndaj Rumanisë në Prishtinë pa gola, 0-0. Kosova ka vështirësuar gjasat për të shkuar në EURO 2024 edhe pse FFK-ja besonte shumë në këtë kampanjë kur pa kundërshtarët në grup. Mirëpo, së pari barazimi me Andorrën në shtëpi, e pastaj humbja ndaj Bjellorusisë bënë që gjithçka të vështirësohet për Dardanët.

ORARI I NDESHJEVE dhe TABELA AKTUALE

Përndryshe, Kosova është e katërta në Grupin I drejt EURO 2024 me 4 pikë pas pesë ndeshjeve, ku ka katër barazime. Bashkë me Andorrën, Kosova është ekipi i vetëm që s’ka arritur fitore në këtë kampanjë kualifikuese. Zvicra është lidere e grupit me 11 pikë. Ndërsa Rumania e dyta me 9.

Një fitore e mundshme e Kosovës ndaj Rumanisë nesër, do t’i motivonte Dardanët për arritjen e pozitës së dytë në grup, gjatë dueleve të mbetura në tetor e nëntor.

Pas Rumanisë, Kosova do të ketë dy ndeshje në tetor, kur udhëton në Andorrë dhe pret Izraelin. Ndërsa në nëntor është mysafire e Zvcirës dhe mbyll kualifikimet ndaj Bjellorusisë.


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Evropian