SHQIPËRIA - POLONIA
Fitore e madhe ndaj Polonisë, Shqipëria në krye të Grupit E!
10 September, 2023 @22:45
Çfarë Shqipërie fantastike!
Në një prej ndeshjeve më vendimtare në rrugën drejt EURO2024, Shqipëria nuk ka zhgënjyer. Kombëtarja e drejtuar nga Sylvinho sonte e mposhti 2-0 (Jasir Asani 37’, Mirlind Daku 63’) Poloninë në Tiranë, për t’i shtuar bindshëm gjasat për një kualifikim në Evropianin e dytë në histori.
Ndeshja filloi kryesisht qetë dhe pa raste konkrete për shënim. Pas 20 minutave lojë, u mendua se gjithçka do të komplikohej kur polakët e gjetën golin në minutën e 21’, por për fatin tonë të mirë, ky gol u anulua me ndihmën e sistemit VAR për shkak të pozicionit jashtë loje.
Kjo i dha zemër Shqipërisë, që filloi të bëhej më kërkuese. Një rast i mirë i Asllanit në minutën e 36’ ishte rasti i parë serioz për Shqipërinë, e pastaj erdhi goli. Jasir Asani në stilin “Gareth Bale” me një bombë nga krahu i djathtë shënoi me të majtën për 1-0, minuta e 37’. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Pjesa e dytë filloi me Shqipërinë të diciplinuar, duke mos lojuar polakët që të krijonin raste të rrezikshme për shënim. Rreth 15 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, i sapoinkuadruari në lojë, Mirlind Daku, shënoi një supergol për 2-0, për t’i dhënë kështu qetësi Shqipërisë (63’). Ndonëse ishte vetëm ndeshja e dytë me fanellën e kombëtares, Daku si një sulmues me shumë përvojë, pranoi mjeshtërisht topin e ardhur prej Ylber Ramadanit nga krahu i djathtë dhe shënoi me shumë klas.
GRUPET KUALIFIKUESE DREJT EURO2024
Në vazhdim të ndeshjes, me mjaft përvojë e qetësi Shqipëria e ruajti rezultatin dhe me plot meritë e mbylli ndeshjen me fitore.
Kështu, Shqipëria tashmë ka 10 pikë pas 5 ndeshjeve dhe i prin grupit. Në anën tjetër, Polonia për momentin ka 4 pikë më pak.
Kjo ishte hera e katërt në histori që Shqipëria luajti ndaj Polonisë në ndeshje zyrtare. Dy prej atyre takimeve janë fituar nga Polonia, një ndeshje ka përfunduar me barazim, e sonte ishte hera e parë që fituese doli Shqipëria.
Ndeshjen e radhës Shqipëria e luan në tetor në shtëpi ndaj Çekisë, ndeshje gjithashtu tejet e rëndësishme në rrugën drejt Evropianit të Gjermanisë. Në tetor Shqipëria ka vetëm një ndeshje kualifikuese, ndërsa më pas dy kualifikueset e fundit i luan në nëntor, në udhëtim ndaj Moldavisë dhe në shtëpi ndaj Ishujve Faroe.
Kliko X për të larguar reklamën dhe për të parë golat e ndeshjes