PROBLEME ME LËNDIME!
Lëndimi i radhës! Telashe për Glihan
9 September, 2023 @18:05
Pas Zymer Bytyqit, për të cilin nuk ka gjasa të luajë në ndeshjet e shtatorit për shkak të lëndimit, duket se Primoz Glihën po e ndjek edhe një telash tjetër para ndeshjes ndaj Zvicrës.
Sipas informatave nga disa media, në dyshim është vënë edhe paraqitja e mbrojtësit të krahut, Mërgim Vojvoda. Vojvoda ka pësuar një lëndim në përgatitjet e lehta të sotme në “Fadil Vokrri” dhe është në dyshim paraqitja e tij për duelin e sontëm ndaj Zvicrës.
Mbetet të shihet se si do të reagojë ekipi mjekësor i Kosovës, por edhe mundësia e paraqitjes së Vojvodës së paku për ndeshjen ndaj Rumanisë. Mirëpo, në anën tjetër Kosova në këtë pozitë ku parashihet të luajë Vojvoda (krah i djathtë i mbrojtjes) nuk ka shumë brenga, pasi që do të mund të zëvendësohet nga Florent Hadërgjonaj që është plotësisht i gatshëm dhe në formë të mirë gjithashtu.
Kosova luan sonte ndaj Zvicrës ndeshjen e pestë të kualifikimeve për EURO 2024. Në katër ndeshjet e para Kosova nuk ka shënuar fitore, derisa ka tre barazime dhe një humbje. Kosova ka të vështira gjasat për kualifikim në EURo 2024 me këto rezultate të deritashme, ndërsa do të duhet të befasojë Zvicrën për të mbajtur shpresat gjallë.
Kosova - Zvicra luhet më 9 shtator 2023 në Fadil Vokrri, ndërsa biletat për këtë ndeshje janë shitur brenda 3 orësh në ditën që janë lëshuar për shitje nga Federata.