FITORE JASHTË VENDIT
Shqipëria U21 e nis me fitore
8 September, 2023 @21:45
Shqipëria U-21 e nis me fitoren 1-2 ndaj Armenisë fushatën kualifikuese të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë. Golat e realizuar nga Stiven Shpendi dhe Arlind Rexhepi vendosën fatin e kësaj sfide të rëndësishme për Shpresat kuqezi.
Trajneri Alban Bushi hodhi në fushë 11-shen titullare: Simoni; Ismaili, Bajrami, Dajko, Buxhelaj; Berisha, Pecani, Bibo; Kurtulan, Shpendi, Rexhepi.
Që në pjesën e parë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Bushi ishin dukshëm më superiorë, duke tentuar që në minutat e para golin në portën kundërshtare. Berisha pati një mundësi mjaft të mirë në minutën e 12-të, pas një asisti të bukur të dhuruar nga Arda Kurtulan. Mesfushori godet me të majtën me topin që shkon ngjitur me shtyllën. Më pas Shpendi ka një mundësi të mirë për të kaluar kuqezinjtë në avantazh, por bllokohet nga armenët.
Në minutën e 28-të vjen goli i parë i Shqipërisë. Stiven Shpendi ndërmerr një inkursion personal në krahun e majtë, duke goditur me të brendshmen në shtyllën e dytë të portierit, e duke i dhënë kështu avantazhin kuqezinjve.
Nëntë minuta më vonë, është Arlind Rexhepi ai i cili dyfishon shifrat për Shqipërinë. Pecani ndërmerr përsipër një goditje këndi, duke dërguar topin në zonën kundërshtare. Në këtë moment përfiton Arlind Rexhepi, i cili e çon topin në rrjetë.
Pjesa e parë mbyllet me avantazhin 2-0 për Shqipërinë e drejtuar nga Alban Bushi. Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, trajneri shqiptar bën një zëvendësim në fushën e lojës, duke hedhur në fushë Enis Asanin në vend të Stiven Bibos.
Sakaq, gjatë pjesës së dytë pati edhe një ndërprerje të rrymës elektrike që zgjati gati 10 minuta. Në minutën e 75-të rifilloi sërish loja. Trajneri Bushi bën edhe tre zëvendësime të tjera në radhët e kuqezinjve, duke hedhur në fushë Agan Mjakin, Cristian Shpendin dhe Klevi Qefalijan në vend të Ismailit, Kurtulan dhe Asanit.
Tarakhchyan ngushton shifrat për armenët, pas një kundësulmi të shpejtë të mesfushorit Iskenderian. 1-2 rezultati i ndeshjes në minutën e 88-të. Arbitri i sfidës akordon edhe 14 minuta shtesë për shkak të ndërprerjes së ndeshjes.
Takimi mbyllet me rezultatin 1-2, me kuqezinjtë e Alban Bushit që e nisin mbarë këtë fushatë eliminatore në Armeni. Më 12 shtator, Shqipëria do të presë Rumaninë në stadiumin ‘Elbasan Arena’ me ndeshjen që është planifikuar të nisë në ora 18:30.