BARAZIMI I PARË I KUQEZINJËVE
Pikë e madhe e fituar në Pragë
7 September, 2023 @23:28
Shqipëria ka dalë e pamposhtur në Fortuna Arena të Pragës sonte, derisa kuqezinjtë me një super-gol të Nedim Bajramit kanë neutralizuar epërsinë e marrë 10 minuta më herët të çekëve përmes krahut të tyre të zhdërvjellët, Vaclav Cerny.
Ndeshja u mbyll me rezultatin Çekia 1-1 Shqipëria [Cerny 56’ - Bajrami 66’], ndërsa ekipi i drejtuar nga Sylvinho regjistroi barazimin e parë në Grupin E kualifikues për EURO 2024 dhe kjo ishte jashtë shtëpie ndaj liderit aktual të grupit, Çekisë së fuqishme të Jaroslav Silhavyt.
Dueli nisi me dominimin në posedim të çekëve, ndërsa Shqipëria nisi një mini-këndellje me kundërsulme pas minutës së 30 të ndeshjes. Deri atëherë, çekët njëherë rrezikuan pak më seriozisht portën e Etrit Berishës, që ishte shumë i sigurt sonte. Po Berisha, pas rezultatit 1-1, mbrojti në dy raste portën nga golat e sigurt!
Në anën tjetër, pas golit të pranuar në fillim të pjesës së dytë, reagimi u tregua në moment të duhur, falë një goditjeje briliante individuale të Bajramit, që qetësoi Fortuna Arenën e Pragës, ndërsa ekzaltoi kuqezinjtë, të cilët në lojë veçse kishin futur debutuesin në sulm Mirlind Daku.
Ky i fundit në një mundësi të madhe kundësulmi për të shënuar, nuk reagoi me pasim si duhet dhe opcioni që do të mund të kishte përfunduar me gol, shkoi huq. Pos Dakut, për kuqezinjtë debutoi sonte edhe Arbnor Muja, që zëvendësoi Jasir Asanin në minutën e 70 të ndeshjes, 10 minuta pasi që Daku kishte hyrë në fushë në vend të Sokol Cikalleshit jashtëzakonisht të angazhuar në kërkim e operim taktik në sulm.
Deri në fund të ndeshjes, Shqipëria u mbajt mirë, ndërsa pasi rastet ideale nuk erdhën për shkak të disa pasimeve jo të sakta, Çekia tentoi kah fundi për të mbyllur ndeshjen me fitore, por nuk e arriti - në përballjen ku morrën barazimin e dytë në grup, pas asaj ndaj Moldavisë jashtë.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE
Të dielën më 10 shtator, Shqipëria do të kërkojë fitore ndaj Polonisë ndjekëse në Air Albania, që ka shitur krejt biletat muaj më parë. E polakët që kapën fitore ndaj Ishujve Faroe sonte 2-0 [Lewandowski 73’pen., 83’] do të kërkojnë të njëjtën, pasi që kanë një pikë më pak se kuqezinjtë aktualisht.
Kliko X për t’i parë golat e ndeshjes