NGA KONFERENCA PARA NDESHJES
Gliha: Rumania favorite, por pres rezultat pozitiv
11 September, 2023 @20:19
Përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha, në konferencën për shtyp para ndeshjes Rumania-Kosova ka thënë se ekipi vendas është favorit. Ai ka pranuar se Rumania është më afër EURO 2024, mirëpo ka thënë se Kosova do të jep gjithçka për të siguruar rezultat pozitiv, të cilin edhe e pret.
“Ne jemi përgatitur mirë. Besoj që loja do të jetë shumë e mirë, pasi që edhe ne edhe Rumania ka nevojë për pikë. Rumania është favorite për vendin e dytë. Por, nesër do të shohim gjithçka në fushë. Unë pres rezultat pozitiv. Ne do të japim gjithçka, kundër një ekipi me lojtarë teknik,” ka thënë ndër të tjera selektori slloven i Kosovës.
Ndeshja e parë e Glihës, pas rikthimit te Kosova, ka qenë ajo ndaj Zvicrës që u luajt të shtunën e 9 shtatorit në Prishtinë. Kosova ka arritur të shkëput pikë nga Zvicra me golin e shënuar nga Vedat Muriqi në sekondat e fundit të ndeshjes, për përfundimtaren 2-2.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE
Përndryshe, Kosova është e katërta në Grupin I drejt EURO 2024 me 4 pikë pas pesë ndeshjeve, ku ka katër barazime. Bashkë me Andorrën, Kosova është ekipi i vetëm që s’ka arritur fitore në këtë kampanjë kualifikuese. Zvicra është lidere e grupit me 11 pikë. Ndërsa Rumania e dyta me 9.
Një fitore e mundshme e Kosovës ndaj Rumanisë do t’i motivonte Dardanët për arritjen e pozitës së dytë në grup, gjatë dueleve të mbetura në tetor e nëntor.
Pas Rumanisë, Kosova do të ketë dy ndeshje në tetor, kur udhëton në Andorrë dhe pret Izraelin. Ndërsa në nëntor është mysafire e Zvcirës dhe mbyll kualifikimet ndaj Bjellorusisë.