TREPÇA - PRIZRENI

Dramë në fund te “Minatori”, Trepça fiton në sekondat e fundit
19 September, 2021 @19:01
Një ndeshje që shkoi deri në fund të saj duke mos ditur fituesin, të cilën krejt në fund falë gjetjes më të mirë në momentet përcaktuese, e fitoi Trepça.
Trepça e drejtuar nga Lubomir Minchev kishte marrë avantazh të thellë në çerek të tretë të ndeshjes 80-67, pas super serisë në fillim të pjesës së dytë, kur çuan 31-18 para se të nis 10-minutëshi i fundit i ndeshjes.
Por, prizrenasit nuk menduan kështu dhe ekipi i Arbnor Rifatit me pikët e Courtney Fells e Ivan Koljevic kryesisht jo që uli, por edhe kapi epërsinë 86-87, 1.51 minuta para fundit.
Ka qenë Drilon Hajrizi që me treshe ktheu epërsinë te mitrovicasit pas kësaj epërsie të KB Prizrenit, ndërsa atë e thelloi Amin Hot me një treshe tjetër për 92-88.
Koljevic e futi minutën e fundit në delir me pikët për 92-90, ndërsa deri në fund, taktizime, faulime për pikët e Hajrizit 13 sekonda para fundit nga gjuajtja e lirë, 94-90. E Prizreni nuk arriti të shënojë në sulmin e radhës, për të përfunduar gjithçka me treshen e Samir Zekiqit 97-90, në sekondën e fundit të ndeshjes.
Trepça e kishte nisur më mirë ndeshjen, duke marrë çerekun e parë me 31-23. Prizreni u kthye në çerek të dytë me 18-26, për të shkuar në pushim 49-48.
Më i dalluari te vendasit në Minatori sonte ka qenë Drilon Hajrizi me 22 pikë të shënuara, bashkë me 9 kërcime e 6 asistime në fitore. Driloni gjuajti me saktësi 50 përqind për tri pikë, duke qëlluar katër nga tetë tentimet e tij.
Njëzetë pikë shënoi edhe Samir Zekiqi. Ndërsa Gerald Blackshear kreu lojën me double double prej 15 pikëve dhe 10 kërcimeve.
Te Prizreni, që përjetoi humbjen e parë të stinorit pas triumfit në Superkupë të Kosovës, fjalën kryesore në ndeshje e thanë Courtney Fells e Ivan Koljevic. Të dy luajtën pa pushim me nga 40 minuta, ndërsa i pari shënoi 29 pikë e 7 kërcime, e i dyti 25 pikë, 9 asistime e 8 kërcime.
Trepça me këtë fitore bën bilansin 2-0 në Superligë, ndërsa Prizreni kthehet në shtëpi me 1-1.