PARA FINALES
Drejt mbrojtjes së titullit
11 April, 2016 @18:55
Kampionja aktuale e Kosovës, fituesja e Kupës dhe mbrojtësja e titullit në ligën ballkanike, Sigal Prishtina, nesër mbrëma luan finalen e dytë të saj me radhë në Balkan League.
Bardhekaltërit janë të motivuar për të mbrojtur titullin e parë të tyre ndërkombëtar, ndërsa nesër pritet që Pallati i Rinisë dhe i Sporteve në Prishtinë të jetë i stërmbushur.
Duelet finale
Sigal Prishtina luan finalen ndaj Mornarit nga Tivari i Malit të Zi. Nesër zhvillohet përballja e parë finale, ndërsa një javë më vonë ndeshja e kthimit finale në Tivar.
Imperativ për Sigal Prishtinën është fitorja dhe sigurimi i epërsisë sa më të madhe para ndeshjes së kthimit në Mal të Zi.
Llogoja e finales
Biletat për ndeshje janë paralajmëruar që do të dalin në shitje nesër nga ora 15 në qendër, para Neëbornit, ndërsa ndeshja nis në ora 19e30.
Optimistë për fitore
Tifozëria prishtinase ka paralajmëruar spektakël. Drejtuesit e ekipit gjithashtu, ndërsa lojtarët duket të jenë të entuziazmuar për këtë ndeshje.
“Jemi tejet të entuziazmuar për këtë finale, pasi që edicioni ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm. Finalen e kemi merituar pasi që kemi punuar shumë për këtë ditë. Jemi të gatshëm dhe këtë do ta dëshmojmë nesër mbrëma,” kanë qenë fjalët e yllit amerikan të Sigal Prishtinës, Mohamed Abukar, sot në konferencën për shtyp të organizuar nga bardhekaltërit para ndeshjes.
Mohamed Abukar, Sigal Prishtina
Sipas trajnerit të Sigal Prishtinës, Antonis Constantinides, lojtarët janë në qejf para kësaj ndeshjeje dhe dëshirën për fitore ua ka parë në stërvitjet e ditëve të fundit.
“Jam krenar me arritjen e ekipit. E kemi merituar si ne, ashtu edhe rivali ynë që të luajmë finalen. Ne kemi ekip më të mirë se Mornari, por ata kanë bankën më të gjërë. Fytyrat e lojtarëve ditëve të fundit kanë treguar dëshirën dhe optimizmin për të fituar këtë duel përfundimtar,” ka thënë trajneri qipriot i bardhekaltërve sot në konferencë për shtyp.
Antonis Constantinides, trajner i Sigal Prishtinës
Shumë shpërblime
Bileta për ndeshje kushton 3 euro, ndërsa sponzorët kryesorë të ekipit kanë paralajmëruar shpërblime të shumta për publikun që do të jetë në palestër nesër.
Arsye për të munguar nuk ka, ndërsa i gjithë vendi do të jetë në përkrahje të ekipit bardhekaltër në këtë finale.
Posteri i finales
Sigal Prishtina stinorin e kaluar ka triumfuar ndaj Rilski Sportistit bullgar në finale të BIBL dhe të njejtën e dëshiron edhe këtë stinor, ndaj rivalit nga Mali i Zi që arrin finalen e kësaj gare për herë të parë.
Sigal Prishtina në tre stinorët sa merr pjesë në BIBL ka qenë pjesë e 4 ekipeve më të mira, duke e zënë pozitën e katërt në stinorin e parë, triumfuar në të dytin dhe tashmë në të tretin kërkon mbrojtjen e titullit të kampionit të BIBL.