TREPÇA

BOROZANI/ Lis Dorambari
Driloni po vjen!
7 March, 2013 @12:44
Kampioni aktual, Trepça, dje për pak sa nuk e befasoi Pejën. Xehetarët, ndeshjen e cila gjatë gjithë kohës ishte përafërsisht e barabartë, e humbën në fund me rezultat 72-75.
Në këtë ndeshje gjëja më e mirë për Trepçën ishte loja e mirë e Drilon Hajrizit. Tifozët mitrovicas që moti nuk e kishin parë Hajrizin me një lojë të tillë.
Driloni stinorin e kaluar ka qenë protagonisti kryesor i triumfit të dyfishtë të Trepçës në kampionat dhe në kupë. Përveç kësaj, ai është shpallur edhe MVP i stinorit, basketbollisti më i mirë i vitit që e lëmë pas, si dhe fitues me ekipin e tij në Streetball Kosova 2012. Me fjalë të tjera, Driloni nuk ka lënë asgjë në Kosovë pa fituar në vitin 2012.
Megjithë këtyre sukseseve të vitit të kaluar, në stinorin vjeshtor të këtij edicioni nuk u pa ai Driloni që ishim mësuar ta shohim. Basketbollisti mitrovicas që prej asaj kohe, për herë të parë forcën e tij të vërtetë e tregoi dje kundër Pejës, megjithëse ekipi i tij u mposht.
Driloni e filloi takimin me dy tresha të njëpasnjëshme dhe këtë formë e vazhdoi deri në fund të ndeshjes. Ai takimin e përmbylli me 28 pikë, ku 10 prej tyre i shënoi në çerekun e dytë.
Së fundi Driloni e ka rikthyer në shpinë edhe numrin e tij të vjetër, 12, pasi që në vjeshtë e barti numrin 21.
Se a është numri 12 vërtetë me fat për Hajrizin, mbetet të shihet…