BALLKANI 0-2 DRITA

Drita njofton Ballkanin me humbjen e parë sezonale
11 September, 2022 @17:42
Drita ka fituar derbin e zhvilluar në Gllogoc, ku Ballkani ka luajtur si nikoqir në Rexhep Rexhepi, derisa gjilanasit e drejtuar nga Atdhe Nuhiu kanë shfrytëzuar mirë “kursimet” e Ilir Dajës për Ligë të Konferencës, duke i mposhtur 0-2.
Me nga një gol për pjesë, Ballkani ka pranuar golat e para të stinorit, ndërsa Drita festoi në fund, duke mbajtur hapin me kreun, për përfundimtaren Ballkani - Drita 0-2 [Marko Simonovski 35, Besnik Krasniqi 59pen.].
Ka qenë sulmuesi maqedon i Dritës Marko Simonovski që ka shënuar i pari, duke shfrytëzuar një asistim të Almir Ajzerajt për epërsi.
E në pjesë të dytë dilemat e fituesi i ka zgjedhur “njeriu i penalltive” Besnik Krasniqi, që ka shënuar për triumfin e të kaltërve.
Derisa për Ballkanin kjo ka qenë humbja e parë kampionale këtë stinor si dhe ka përjetuar golat e para të pranuara në portë, Drita në anën tjetër bashkë me rivalin lokal të saj mbesin të pamposhtur këtë stinor.
Intelektualët janë në pozitën e dytë të renditjes për momentin, duke e rrëzuar kampionin aktual në të tretin.