BERISHA & MAXHUNI

Arbër Berisha (majtë) me fanellën e Turqisë dhe Edon Maxhuni (djathtë) me fanellën e Finlandës
Duel shqiptar në Divizionin A të Europianit U-18
24 July, 2015 @19:21
Megjithëse Kosova dhe Shqipëria nuk janë pjesë e garave të Europianit U-18 të Divizionit A që po zhvillohet në Greqi këto ditë, prezenca e basketbollistëve shqiptarë nuk po mungon as në këtë kompeticion.
Sot në ndeshjen e grupit C ndërmjet Turqisë dhe Finlandës, janë përballur dy basketbollistë shqiptarë, që të dy me prejardhje nga Kosova.
Është fjala për Edon Maxhunin, 17 vjeçarin që po i mbron ngjyrat e Finlandës, si dhe 18 vjeçarin e përfaqësueses së Turqisë, Arbër Berishën.
Maxhuni dhe Berisha ishin sot përballë njëri tjetrin në ndeshjen Turqia - Finlanda, që përfundoi me fitoren e turqve me rezultat 80-63.
Arbër Berisha në fitoren e skuadrës së tij kontribuoi për 6 minuta sa mbeti në fushë, edhepse nuk arriti të regjistrohej në listën e koshashënuesve, derisa Edoni, i cili është djali i ish basketbollistit të njohur, Besim Maxhuni, luajti rolin e organizatorit të përfaqësuesja e Finlandës dhe e filloi ndeshjen nga pesësshja e parë, ku për 21 minuta sa qëndroi në fushë, realizoi 2 pikë, 4 asistime dhe një kërcim.
Në garat e Europianit për U-18 përfaqësuesja e Shqipërisë është duke garuar në Divizionin B, derisa ajo e Kosovës nuk po merr pjesë fare sivjet.