KERASANI - BASHKIMI
E pesta me radhë për Bashkimin
15 February, 2018 @20:25
Pas fitores në BIBL ndaj Ibrit të Rozhajës, skuadra e Bashkimit ka shënuar fitore edhe në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.
Skuadra prizrenase sonte triumfoi ndaj Kerasan Prishtinës, për ta shënuar kështu fitoren e pestë me radhë në Superligë. Për t’u përmendur është fakti që edhe pse Kerasani ishte skuadër vendase, ndeshja e sontme u zhvillua në Prizren.
Dueli kaloi me lehtësi për prizrenasit, të cilët dominuan që nga fillimi dhe ndeshjen e mbyllën me rezultatin final 56-106.
5 lojtarë të Bashkimit shënuan pikë dyshifrore, ndërsa më të dalluarit ishin Vincent Zollo me 22 pikë, 13 kërcime e 1 asitim dhe Edmond Kryeziu me 20 pikë, 3 kërcime e 3 asistime. Kur jemi te prizrenasit, pranë shifrave triple-double sonte ishte Altin Morina, i cili luajti me 13 pikë, 9 kërcime e 10 asistime.
Te Kerasani ranë në sy Dion Haxhosaj me 16 pikë, 7 kërcime e 1 asistim dhe Kujtim Ujkani me 11 pikë e 4 kërcime.
Fitorja e sontme e mban Bashkimin të qetë në vendin e dytë, derisa Kerasani mbetet i rrezikuar me bilanc 5-15.