PARA DEBUTIMIT
Përfaqësuesja U-16 e Kosovës në basketboll/ BOROZANI/ D.S.
Edhe Kosova U-16 është gati për Europian
3 July, 2015 @15:07
Përfaqësuesja e re e Kosovës në basketboll U-16, ka kaluar një fazë më të gjatë stërvitore. Pas procesit të selektimit nga 200 basketbollistë, u përzgjodhën 20 për të pëfunduar me 12-she që do të udhëtojë të dielën heret në mëgjes drejt Tiranës, prej nga do të marrin rrugë për në San Marino për Europianin U-16, në ndeshje të Divizionit C.
Trajneri i tyre, Chris Dial, është shprehur të jetë tepër i kënaqur me lojtarët që i ka në dispozicion, derisa ka thënë se ata kanë punuar shumë.
“Djelmoshat kanë dhënë maksimumin në fazën përgatitore që e kemi pasur. Ata janë treguar të punës dhe bashkë me ndihmësit e mij, Dritëro Sefaja, Edon Godeni dhe Petrit Zeqiri kemi punuar për t’i përgatitur sa më mirë për debutim ndërkombëtar që është i rëndësisë së madhe për Kosovën,” ka thënë Dial në konferencën e sotme për shtyp.
Sa i përket pritjes, se sa mund të tregohet kjo grupmoshë e Kosovës para Europianit, Dial ka qartësuar atë me shembull interesant.
“Po të isha meteorolog, do të kisha qëlluar çka do të ndodh atje. Mirëpo, duhet të dini se ne sa herë që shutojmë topin drejt koshit, shutojmë për të shënuar. Njashtu, edhe në lojë dalim për të fituar. Kjo është me rëndësi. Por, edhe më me rëndësi është pjesëmarrja e parë në histori të Kosovës në një garë të tillë,” ka shtuar ndër të tjera trajneri amerikan, që së fundi bashkë me ekipin e Kosovës U-16 ka qenë në San Antonio të SHBA-ve për pjesën e fundit përgatitore të përfaqësueses.
Kosova U-16 do të jetë në Grupin B të Divizionit C të Europianit, ndërsa kundërshtarë në grup ka skuadra si Gjibraltari, Monaco dhe Uellsi.
Lista e Chris Dial, Kosova U-16 në Europian:
Kreshnik Avdija | Almir Berisha | Edison Gashi | Dardan Kapiti |
Atik Koshi | Etnik Peci | Dion Pllana | Erjon Çarkaxhia |
Engjëll Ramaj | Ylldrit Sahiti | Deniz Simnica | Andi Vrapçani |