EKSKLUZIVE: JOSIP BLAJIC
Edhe më të mirë në pranverë
28 December, 2013 @12:31
Fundori i Bashkimit, që ishte njëri ndër basketbollistët më të dalluar të prizrenasve në pjesën e parë të stinorit, mendon se ekipi ka mundur të jetë pak më mirë në renditje se sa që është.
Ish basketbollistit të Cibonës, Josip Blajic, i vjen shumë keq që nuk ka arritur të mposht së paku njëherë Pejën e Prishtinën, por beson se gjatë stinorit do të arrihet kjo.
-Gjysmëstinori në Bashkimi, si e vlerësoni?!
Josip Blajic: Personalisht mendoj se është dashur gjithsesi të jemi më të mirë. Mirëpo, kur llogariten gjërat si: fillimi i vonshëm i stërvitjeve, ekipi u kompletua me vonesë, na përcollën lëndimet, mund të thuhet se barazimi i tyre tregon rezultat real të gjendjes sonë në tabelë. Gjithashtu, kemi qenë tepër me fat pasi që shumë ndeshje tjera kanë përfunduar me rezultat që na ka konvenuar neve.
Më vjen keq që s’u morrëm pikë Pejës e Prishtinës - Blajic
-Edhepse keni humbur të gjitha ndeshjet nga TOP 3-shja e stinorit vjeshtor, ende jeni në lojë për pozitën e tretë. A do të mund të arrihet kjo nga Bashkimi?
Josip Blajic: Së pari më vjen keq që nuk kemi arritur tu marrim pikë Pejës e Prishtinës. Mirëpo, kampionati ende nuk ka përfunduar dhe besoj që këtë kënaqësi do t’ua sjellim tifozëve tonë besnik.
I impresionuar me klubin - Blajic
-Si ju duk në përgjithësi Bashkimi si ekip dhe si e vlerëson gjysmëstinorin?!
Josip Blajic: Së pari dua t’i falenderohem bashkëlojtarëve që i konsiderojë shokë. Gjithashtu edhe trajnerit Edin Kërveshi v.j.), ndihmësit (Edon Godeni v.j.) dhe çdonjërit që qëndron prapa organizimit dhe punëve të klubit. Të gjithë këta kanë qenë të jashtëzakonshëm ndaj meje dhe më kanë pranuar shpejtë. Jam i impresionuar këtu me tifozët dhe me njerëzit që e duan klubin. Me gjysmëstinorin e parë jam i kënaqur, edhepse gjithmonë mundet më mirë dhe më shumë. Edhe njëherë, kam pasur disa lëndime, por për ekipin tim gjithmonë do t’i shtrëngojë dhëmbët dhe do të jap maksimumin.
-A do të jetë Blajic në pjesën e dytë të stinorit në Prizren?
Josip Blajic: Shpresoj. Unë jam i kënaqur me çdo person në klub. Besoj që gjatë Vitit të Ri do të kuptohet gjithçka.
-Jeni ndër basketbollistët e paktë të huaj që marrin familjen me veti, derisa gruaja dhe vajza juaj e vogël ka qenë në çdo ndeshje tuajën prezent në Sezai Surroi?
Josip Blajic: Unë gjithmonë udhëtoj bashkë me familjen time. Ata më japin përkrahjen më të madhe. Ato janë ambientuar shumë mirë në Prizren dhe u pëlqente. Edhe qytetarët janë të afërt dhe të gatshëm për ndihmë. Kështu, të gjithë familjarisht jemi të kënaqur. Urime Vitin e Ri të gjithëve!
Blajic 25 vjeçar ka qenë njëri ndër basketbollistët më të mirë të prizrenasve në pjesën vjeshtore të stinorit. Ai ka arritur të renditet ndër koshashënuesit më të mirë të Superligës me 15.4 pikë për ndeshje, derisa sa i përket asistuesve, është më i miri pas Samir Shaptahovicit në Superligë, me 6.6 asistime për ndeshje.
Bashkimi ka përfunduar pjesën e parë të stinorit me 7 fitore e 7 humbje. Bashkimi ka arritur ti mposhtë të gjitha skuadrat përveç atyre të TOP 3, Peja, Sigal Prishtina dhe Trepça. Nga dy humbje nga TOP 3-shja, si dhe një befasi e pakëndshme nga Kastrioti në Ferizaj - ia mohoi vendin e tretë të sigurtë Bashkimit. Sidoqoftë ata ende luftojnë për këtë pozitë, pasi që kanë bilanc të barabartë me mitrovicasit që okupuan këtë vend në tabelë.