Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LARGOHEN NGA GARAT!

Edhe një ekip i Ligës së Parë - largohet nga garat!

Pamje arkivi e bankës së KB Gjakova e Re, gjatë një ndeshje në Ligë të Parë/ Foto: KBGjakovaeRe/ fb

Edhe një ekip i Ligës së Parë - largohet nga garat!


27 February, 2024 @14:35

Derisa në Superligë ekipet kanë arritur buxhet milionësh dhe bëjnë transfere të lojtarëve gjithandej me paga të jashtëzakonshme për vendin tonë, në Ligë të Parë është një gjendje krejt tjetër.

Që nga fillimi i stinorit aty disa ekipe garonin sa për të qenë pjesë e garave, ndërsa i rënë nga Superliga - KB Rahoveci u dorëzua duke mos marrë pjesë fare.

HUMBJA E RADHËS ME REZULTAT ZYRTAR

Pas kësaj ka qenë ekipi prishtinas AS Prishtina që nuk arriti t’ia dalë, duke luajtur një ndeshje të vetme këtë stinor dhe pas kësaj u dorëzua duke mos arritur as që të mbledhë lojtarë për ndeshje dhe me dy disfata me rezultat zyrtar u përjashtua nga garat.

E së fundi, pjesën e dytë të stinorit nuk arriti ta durojë as ekipi gjakovar, Gjakova e Re. Në Informatorin Nr. 21 të Ligës së Parë është bërë e ditur se me mosdaljen e ekipit gjakovar në fushë dhe me ndeshjen e dytë të humbur 20-0, konform Nenit 58.3 Gjakova e Re largohet nga garat e mëtutjeshme të Ligës së Parë të Kosovës në basketboll.

Informatori - Gjakova e Re

“Ndeshja KB Kosovari - KB Gjakova e Re konform Nenit 58.2 regjistrohet me rezultat 20-0 në favor të Kosovarit. KB Gjakova e Re nuk merr asnjë pikë. Konform Nenit 58.3 KB Gjakova e Re largohet nga garat e mëtutjeshme të Ligës së Parë,” - ka shkruar në njoftimin e KG-së së FBK-së për Ligë të Parë.

NGA 10, NË 7 EKIPE

Me këtë, tash Liga e Parë e Kosovës në basketboll mbetet me shtatë ekipe pjesëmarrëse, prej dhjetë sa ishin në fillim, duke llogaritur edhe KB Rahovecin e rënë nga Superliga. Ndeshja e fundit e zhvilluar e Gjakovës së Re ishte ndaj lideres Bora, të cilën e humbi me rezultat që i la mbi 100 pikë pas, 176-39! Kjo ndeshje u luajt më 2 shkurt 2024.

Lidere aty është Bora e Prishtinës me të gjitha fitore, ndjekur nga Kosovari i Bardhit të madh pranë Prishtinës dhe NewBasketi i Prizrenit. Ekipet tjera pjesëmarrëse që janë ende në garë janë Vushtrria, Borea, Kerasani dhe Drita.

Për më tepër, shikoni renditjen aktuale të tabelës në Ligë të Parë dhe rezultatet e arritura nga ekipet deri tash.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Liga e Parë