REFERI
Edhe Vula braktis referimin
5 March, 2014 @12:18
Pas Arbnor Rifatit, edhe kolegu i tij Alban Vula ka braktisur referimin aktiv të basketbollit.
Rrethanat e krijuara, padrejtësitë dhe veprimet e bëra ndaj meje për disa muaj radhazi më shtyen të marrë vendimin më të rëndë në jetën time, ka thënë mes tjerash Vula në njoftimin lidhur me vendimin e tij.
Vula që ka kryer detyrën e referit në Superligë të Kosovës që nga viti 2003 ka qenë njëri ndër treshen më të njohur dhe më të mirë të referëve, derisa ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Shoqatës së Gjyqtarëve të basketbollit kosovar.
Duke premtuar një kthim të fuqishëm në frymë sportive, Vula ka cekur se basketbolli kosovar nuk ka luks të gjyqtarëve, e aq më pak t’i humb dy gjyqtarë si vetë ai dhe Rifati, që kishte marrë një vendim të tillë ditë më parë.
Deri te ky vendim i gjyqtarëve të lartëpërmendur ka ardhur pas testit të organizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës. Në këtë test përkundër se kanë kaluar atë teorik, në pjesën fizike nuk kanë arritur të kalojnë 70% të testit dhe FBK-ja u ka mohuar të drejtën e delegimit gjyqtarëve me performancë nën këtë përqindje.