SHPËRTHIMI I TALENTIT!
Edmond Kryeziu, snajperi i ri i Bashkimit
15 October, 2016 @18:03
Fitorja e Bashkimit ndaj Sigal Prishtinës në xhiron e parë të Superligës e nxorri në pah lojtarin e ri të ekipit prizrenas që shënoi 3 treshe në këtë ndeshje.
Edmond Kryeziu, reprezentues i Kosovës për grumposhat e reja, në 15 minutat e kaluara në parket shënoi 3 herë nga 3 tentime jashtë vijës 6.75 për të bërë dallimin në ndeshje - që i dha Bashkimit fitoren e parë të stinorit dhe atë ndaj kampiones aktuale.
E aftësinë e tij për gjuajtje nga distanca Edmondi e vërtetoi edhe sot ndaj kundërshtarit më të lehtë, gjithashtu nga Prishtina, Kerasan.
Ai gjuajti 4 herë dhe shënoi 3 herë për tre pikë në fitoren e sotme të Bashkimit, ndërsa prizrenasve u ka dhënë shpresa si një talent i ri i ekipit dhe të bëhet lider i së ardhmes nga forcat vendore të skuadrës.
Në total tani pas dy xhirove të Superligës, Kryeziu ka bilanc të hatashëm për tre pikë për ekipin e tij. Nga 7 tentime ai ka shënuar 6 herë. Ndërsa në parket gjatë këtyre dy ndeshjeve ka kaluar 33 minuta.
Përndryshe, Kryeziu është i lindur më 16 qershor 1998. Ai me vetëm 18 vjet ka arritur të shfaq aftësitë e tij në Superligë të Kosovës, ndërsa ka qenë pjesë e Kosovës U-18 gjatë verës në Europianin e zhvilluar në San Marino. Aty ai ka pasur mesatare prej 3.8 pikëve për ndeshje dhe 1.7 kërcimeve.
Kryeziu është i gjatë 194 centimetra.