FBK
Elshani dorëhiqet nga Bordi
14 October, 2013 @8:45
Arbër Elshani, kryetar i klubit Besa ka dhënë dorëheqje nga Bordi i FBK-së. Kështu ka thënë vetë ai për portalin tonë në orët e hershme të mëngjesit duke qenë i dëshpëruar me disa vendime të marra nga ky bord.
“Kemi menduar se kemi bërë ndryshime, por s’kemi bërë asgjë si duket. Si mendojmë t’i bindim tifozët të vinë në palestra kur ne mezi i bindim ata të mos hedhin gjësende në palestra, ndërsa tash për shkak të sharje-fyerjeve palestrat duhet të zbrazen!?” ka thënë ai.
Referët tani kërkojnë zbrazjen e palestrës nëse tifozët edhe fyejnë e shahen gjatë ndeshjes.
Gjithashtu ai ka cekur se është i dëshpëruar me referim, pasi që referët nuk po i japin kërkujt përgjegjësi për atë çka bëjnë.
“Nëse vazhdohet me këtë ritëm, atëherë ne duhet të tërhiqemi nga garat, përndryshe tërhiqen sponzorët,” ka thënë ndër të tjera Elshani, i zhgënjyer pas ndeshjes së djeshme, ku ekipi i tij Besa u mposht nga Bashkimi për gjashtë pikë dallim në Karagaç.