KOMUNIKATË
FBK e hapur për lojtarët
23 June, 2016 @12:35
Përmes një komunikate për opionin, Federata e Basketbollit të Kosovës ka paraqitur qëndrimin zyrtar pas shumë pyetjeve në lidhje me grumbullimin e lojtarëve dhe mundësinë e ftesës për lojtarët e tjerë me pasaporta të huaja. FBK u shpreh e hapur që të ftojë edhe lojtarë të tjerë në të ardhmen, duke treguar se qëllimi i vetëm është përforcimi sa më i madh i Përfaqësueses.
Komunikata e plotë:
“Në prag të fillimit të Kampionateve Evropiane për grupmosha të reja dhe fillimit të përgatitjeve të Kombëtares A të Kosovës për kualifikimet për Eurobasket 2017, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dëshiron që publikisht të falënderojë të gjithë ata lojtarë që i janë bashkëngjitur ekipeve kombëtare ose kanë pranuar ftesat për të qenë pjesë e këtyre ekipeve.
FBK ka tentuar që të mbledhë të gjithë lojtarët më të mirë me prejardhje kosovare dhe dëshiron të bën të qartë për opinion se ka kontaktuar në mënyra të ndryshme me secilin lojtar që ka prejardhje ose lidhje me Kosovën, për të cilin shtabet profesionale të ekipeve kombëtare kanë qenë në dijeni.
Për ne është nder i veçantë dhe njëkohësisht përgjegjësi e madhe që gjithsej katër lojtarë me prejardhje nga Kosova dhe me shtetësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë pranuar të jenë pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe jemi duke bërë maksimumin që ata ti pajisim me shtetësi dhe pasaportë të Kosovës, për çka e falënderojmë Presidencën e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Njëkohësisht dëshirojmë të sqarojmë me arsye dhe me arsyetime të ndryshme lojtarë të lindur në Kosovë ose me prejardhje nga Kosova nuk kanë marrë pjesë në tubimet e ekipeve kombëtare.
Në këtë grup ka lojtarë që luajnë në kolegje të ndryshme në SHBA dhe lojtarë që kanë luajtur ose luajnë për ekipet kombëtare në Turqi, Finlandë, Gjermani, Austri dhe shtete tjera evropiane.
Duke e ditur se kjo është hera e parë që do të garojmë në të gjitha nivelet dhe grupmoshat dhe duke pasur parasysh distancën e disa lojtarëve nga Kosova dhe basketbolli i Kosovës, kemi qenë maksimalisht të kujdesshëm që të mos dëmtojmë imazhin e këtyre lojtarëve dhe ambiciet e tyre për shkollim ose vazhdim të karrierës.
Mirëpo, mirëkuptimi ynë maksimal kohëve të fundit po keqpërdoret nga lojtarë të caktuar ose familjarë të tyre, të cilët përhapin thashetheme dhe të pavërteta për FBK-në.
Përsërisim se të gjithë lojtarët, emrat e të cilëve qarkullojnë në opinion, janë kontaktuar nga FBK dhe ne mbesim të hapur për të gjithë, deri në skadimin e të gjitha afateve të mundshme në FIBA.
Kosova është në krijim të identitetit të vet në arenën ndërkombëtare dhe Kosova ka nevojë për secilin lojtar ose lojtare që dëshiron të mbrojë ngjyrat e këtij shteti dhe ta përfaqësojë atë.
Kjo në veçanti vlen për lojtarët që kanë krijuar profil në Evropë dhe në SHBA si Kenan Sipahi, Lis Shoshi, Edon Maxhuni, Enis Murati, Besnik Bekteshi, por edhe të gjithë ata të cilët e kemi kontaktuar më herët në mënyra të ndryshme ose ata lojtarë tek të cilët nuk kemi pasur qasje deri më tani.
FBK është në dispozicion për të gjithë këta lojtarë e lojtare dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen.”