PREZANTIMI

Fotot: FBK
FBK prezanton logon e QNB
18 November, 2021 @11:06
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka prezantuar Logon e Qendrës Nacionale të Basketbollit.
Duke ditur se Qendra Nacionale e Basketbollit është projekt i ri në kuadër të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) që për qëllim ka zhvillimin e gjeneratave të reja në basketboll për të kontribuar në shoqëri dhe për të krijuar kuadro të reja, si dhe për të forcuar edhe më tepër ekipin nacional të Kosovës në të ardhmen, FBK ka bërë të ditur në disa pika domethënien e logos:
Logo e prezantuar ka për bazë disa elemente kryesore:
- Ikonën, e cila përdoret në eventet rinore apo e përshkruan rininë dhe zhvillimin;
- Topin e basketbollit për të treguar fushën në të cilën zhvillohet ky projekt;
- Kërcimin basketbollistik nga një djalë dhe një vajzë; dhe
- Natyrisht një element nga logo e federatës dhe flamurit, 6 yjet që tregojnë më së miri qëllimin e këtij projekti, barazinë dhe gjithëpërfshirjen.
Kryetari i FBK-së Arben Fetahu në një deklaratë të tij dhënë më parë për QNB-në ka thënë se FBK ka investuar në pasurinë më të madhe që ka Kosova, në rini!
Ndërsa njëri ndër lojtarët më të dalluar të reprezentacionit të Kosovës, Erjon Kastrati, gjatë vizitës së tij në QNB kishte thënë:
“Kur kam dëgjuar për herë të parë për këtë ide, isha shumë i lumtur, sepse këtë mundësi nuk e kemi pasur ne. Jam i lumtur për gjeneratat e reja. Një falënderim për Federatën e Basketbollit të Kosovës, që në mënyrë sistematike është përkujdesur për talentet e rinj, që do të stërviten dy herë në ditë dhe që do të vazhdojnë arsimimin, e kjo është shumë e rëndësishme. Një ide shumë e qëlluar.”