VENDIMI
Femrave dhe fëmijëve, po!
7 October, 2013 @21:48
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë një vendim interesant sot, por jo edhe të panjohur për sportdashësit.
Me qëllim që skuadrat të përfitojnë, ndërsa problematikët të dënohen, derisa atmosfera sportive në ndeshje të vazhdojë - prej tash të gjitha klubet që do të dënohen që të zhvillojnë ndeshjet pa tifozë, në fakt do të kenë shikues por vetëm femra (të të gjitha moshave) dhe fëmijë deri në moshën 12-13 vjeçare (deri në gjatësi 150 centimetra).
Kështu ka njoftuar sot FBK-ja në faqen zyrtare të saj, duke e arsyetuar vendimin me atë që klubet do të mund të përfitojnë përsëri financiarisht.
Me këtë, ndeshja derbi e xhiros së dytë të Superligës ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës pritet të jetë mjaft interesante edhe në këtë aspekt, pasi që për herë të parë do të shihet interesimi i vërtetë i gjinisë së bukur për basketboll si dhe fëmijëve. Për shkak të sjelljeve të pahijshme të tifozëve Bashkimi u dënua sot me një ndeshje pa prani të tifozëve në palestër.
Një gjest i tillë është i njohur për opionin e gjërë sportdashës, pasi që këtë gjë e aplikon edhe Superliga turke në futboll, ku është dalluar Fenerbahçe me stadiumin përplotë femra dhe fëmijë - e që i ka sjëllë futbollistëve një përkrahje shumë më të mirë në disa raste.