OLYMPIACOS - FENERBAHÇE
Feneri ‘zgjohet’ vonë, Olympiacosi fiton
29 December, 2016 @21:49
Në takimin e luajtur mes Olympiacosit e Fenerbahçes sonte në Greqi, fituese doli skuadra vendase, e cila takimin e mbylli me rezultat 71-62.
Skuadra greke ishte më e mirë që nga çereku i parë, i cili përfundoi me rezultat 18-9, e më pas epërsia u menaxhua shumë mirë në pjesën e mbetur të takimit, për t’ia shkaktuar nënkampionit të Evropës humbjen e gjashtë sezonale. Me Olympiacosin që kishte epërsi të konsiderueshme në pjesën më të madhe të takimit, ndeshja ‘interesante’ u bë vetëm pak çaste para fundit, kur Feneri me mbrojtje të mirë e sulm efikas e ngushtoi epërsinë deri në 4 pikë, 65-61, mirëpo ishte vonë për një rikthim senzacional dhe fitorja për turqit ishte e pamundur.
Më i dalluari tek skuadra e Olympiacosit ishte Matt Lojeski me 14 pikë, 3 kërcime e 2 asistime, ndërsa tek Feneri u veçua Jan Vesely me double-double prej 22 pikëve e 10 kërcimeve.
Duhet përmendur që mungesa e Bogdan Bogdanovicit tek skuadra turke e Fenerit vazhdon të vërehet dukshëm, kur dihen kualitetet e 24-vjeçarit serb.
Me fitoren e arritur sonte, Olympiacosi e ngrit bilancin në 10-5, ashtu siç e ka edhe Real Madridi i vendit të dytë, kurse Feneri momentalisht ndodhet larg liderëve dhe ka bilanc 9-6.