MALISHEVA LIDERE!
Feronikeli’74 merr pikën e parë të stinorit, Malisheva kreun
29 September, 2024 @21:11
Ekipi i Feronikelit’74 i drejtuar nga trajneri italian Giovani Colella ka marrë pikën e parë të stinorit, pas shtatë xhirove! Krejt vonë në ndeshje, në minutën e 90’+10 të kohës shtesë ka qenë Armend Gashi që ka shënuar për barazim dhe për t’ia siguruar pikën e parë ekipit të tij. Ai shënoi me kokë, pas tollovisë në zonën e Malishevës krejt në fund të takimit, kur vendasit me çdo kush deshën golin.
Malisheva ndërkaq kishte më shumë nga loja. Dy herë shënuan me Fatjon Bunjakun në pjesë të parë, të dyjat herat VAR-i veproi për të vërtetuar ofsajdin! Sidoqoftë, me rastet e krijuara, Malisheva gjeti golin në pjesë të dytë me mbrojtësin Agon Xhaka, që shënoi me kokë nga afërsia pas një krosimi nga e djathta, e futur në zonë nga Arbër Prekazi prej këndit tjetër.
Ekipi i Bekim Isufit pati edhe dy raste të mira për të shënuar, por s’e gjeti portën e Marley Prince-it. Më vonë, Feronikeli’74 plotësisht u sul përpara deri sa edhe e gjeti golin, për përfundimtaren: Feronikeli’74 - Malisheva 1-1 [Armend Gashi 90’+10 - Agon Xhaka 64’].
Feronikeli’74 mbetet i fundit në tabelë, me 1 pikë nga 7 ndeshje. Malisheva ndërkaq me këtë pikë merr kreun e tabelës, pasi që pas 7 ndeshjeve ka 14 pikë të tubuara.