LIVERPOOL 3-3 BENFICA

Festë golash në Anfield, Liverpool në gj’finale ndaj befasisë
13 April, 2022 @23:40
Pas fitores në da Luz të Lisbonës në ndeshjen e parë me rezultat 1-3, Liverpool pa veten në epërsi me të njëjtin rezultat edhe në Anfield, kur Roberto Firmino i disponuar për lojë, shënoi golin e tij të dytë dhe të tretin për Liverpoolin në minutën e 65 të ndeshjes.
Deri në fund, Benfica u çlirua për të shënuar edhe dy herë me Roman Yaremchuk dhe David Nunez, për rezultatin përfundimtar 3-3 [Konate 21, Firmino 55, 65 - Ramos 32, Yaremchuk 73, Nunez 81].
Për Benficën llogaritej mision i pamundur për të tejkaluar pengesën në formë, Liverpool, por ekipi portugez bëri më të mirën që mundi në Anfield për të dhuruar festën e golave, që përfundoi me gjashtë të shënuara në lojë.
Uruguajani David Nunez u bë lojtari me më së shumti gola të shënuara për Benficën në një stinor të Ligës së Kampionëve, duke shënuar sonte të gjashtën.
Në anën tjetër, Liverpool që pushoi katërshen Mohamed Salah, Thiago Alcantara, Fabinho dhe Sadio Mane në pjesë të parë, i pa në lojë ata pas minutës së 57 të ndeshjes.
Në gjysmëfinale, Liverpool do të ketë punë ndaj befasisë Villarreal, që në rrugëtimin e tij drejt katërshes më të mirë të Ligës së Kampionëve këtë stinor eliminoi Juventusin dhe Bayernin!
Ndeshja e parë luhet në Anfield Road më 27 prill, ndërsa ajo e kthimit më 4 maj në la Ceramica.