THE FINALS
Fillon finalja
21 May, 2014 @9:55
Në dy stinorët e fundit, superderbi i basketbollit kosovar është bërë temë për çdokë, duke dalë edhe jashtë sportit.
Derisa stinorin e kaluar Peja triumfoi në finale të Play-Offit me 3-0 ndaj Sigal Prishtinës, kësaj radhe Sigal Prishtina kërkon hakmarrje.
E a do ta arrijnë këtë prishtinasit, mbetet të shihet, pasi që përkundër se Peja ka në ekip basketbollist kyq të lënduar, rivaliteti i madh në taboret e dy skuadrave - nuk besohet të lejojë fitore të lehtë në asnjë ndeshje për asnjërën skuadër.
Këtë më së miri e treguan verdhezinjtë në ndeshjen e fundit me Sigal Prishtinën të zhvilluar në Karagaç, të cilën gjë do ta kërkojnë përsëri.
Sidoqoftë, derisa te ekipi i Marin Dokuzovskit, nuk ka ndonjë lëndim të theksuar te lojtarët, Peja ka të lënduar qendrën kryesore, Teo Simovic.
Sigal Prishtina ia ka marrë Pejës të gjitha trofetë këtë stinor në Kosovë, duke nisur nga Superkupa, pastaj Kupa e Kosovës dhe tani kërkon edhe Superligën.
E Peja si kampion aktual do të kërkojë që së paku të mbrojë epitetin më të rëndësishëm të vitit.
Sidoqoftë, në ndeshjet e zhvilluar këtë stinor Sigal Prishtina ka katër fitore më shumë ndaj Pejës, derisa në të gjitha takimet e deritashme, Sigal Prishtina ka shënuar 6 fitore, e Peja 2.
Lufta në parket, fillon sonte prej orës 19:00, derisa referi kryesor ende nuk është bërë i ditur, përkundër se është thënë që do të jetë një i huaj - maqedon ose malazias.
Kampion shpallet ekipi që arrin së pari tre fitore, derisa luhet në sistemin, një në Prishtinë, një në Pejë.
Skema e Play-Off dhe tabela e stinorit të rregullt.