PLAY OFF

Finalisti i fundit!
10 May, 2013 @16:21
Nesër mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve të Prishtinës do të përcaktohet finalisti i fundit në luftën për titullin e kampionit të Kosovës në basketboll.
Sigal Prishtina kishte fituar ndeshjen e parë si vendas dhe të njëjtën gjë e kishte bërë edhe Sigkos Bashkimi në palestrën e vetë. Prishtinasit kishin fituar ndeshjen e parë me rezultat 76-67, ndërsa prizrenasit të dytën 66-62.
Lajmi i mirë për fituesen e Kupës së Kosovës, Sigal Prishtinën, është se nesër pritet rikthimi nga lëndimi i qendrës amerikane, Julian Terrell. Siç dihet ekipi i Ahmet Kandemirit ka zhvilluar ndeshjen e fundit vetëm me një të huaj, Akida McLain, derisa dyshja tjetër e huaj është e lënduar. Pasi që Alvin Snow nuk ka gjasa të rikthehet, për shkak të lëndimit të rëndë, të pësuar pikërisht ndaj portokallëve në ndeshjen e stinorit të rregullt, besohet se Terrell do të jetë në parket nesë mbrëma.
Në anën tjetër, Bashkimi, llogarit sukses vetë fitoren e fundit ndaj kryeqytetasve dhe do të luaj pa ndonjë ngarkesë, që mund të jetë e mirëseardhur dhe rrugë për befasi.
Për Sigal Prishtinën në ndeshjen e fundit kanë shkëlqyer vëllezërit Rugova, Graniti dhe Fisniku, derisa Sigkos Bashkimi është tërësisht i varur nga performanca e treshes së huaj.
Peja është finalistja e parë e Play Offit, pasi që ka mposhtur RTV 21-shin mbrëmë në ndeshjen e dytë të serisë. Peja pret fituesin e ndeshjes së nesërme në finale dhe do ta ketë epërsinë e terrenit vendas, pasi që e ka përfunduar stinorin në vend të parë të renditjes tabelare. Finalja e Play Offit luhet deri në fitoren e tretë, me nga një ndeshje në çdo palestër, duke filluar nga Karagaçi.
PLAY OFF - BKT SUPERLIGA - NDESHJA E TRETË
19:00 Pallati i Rinisë - Prishtinë | Sigal Prishtina - Sigkos Bashkimi | 1-1 Rezultati në seri | Gjyqtarë: F. Kurshumliu, A. Vula dhe Xh. Mumini. |
REZULTATET E DY NDESHJEVE TË PARA:
1 | Prishtinë | Sigal Prishtina - Sigkos Bashkimi | 76-67 | |
2 | Prizren | Sigkos Bashkimi - Sigal Prishtina | 66-62 |