BASHKIMI @ FINAL FOUR 2017
Finalja minimumi, synimi Kupa
16 February, 2017 @9:53
Kapiteni i Bashkimit të Prizrenit, Qëndrim Biraj, ka thënë se finalja është minimumi që kërkon ekipi i tij në Final Four 2017 të Kupës së Kosovës, që nis nesër.
Një ndeshje dhe atë ndaj Pejës (me të cilët nuk janë takuar fare këtë stinor) në ditën e Pavarësisë së Kosovës, në duelin e parë në “Minatori”.
“Edhe pse kemi bërë disa ndryshime tani në përbërje të ekipit, ne kemi bërë gjithçka që të përgatitemi sa më mirë ashtu që të komponohemi mes veti si skuadër,” ka thënë Qëndrim Biraj, në një prononcim të tijin për Borozani.com ditë para duelit.
Finalja është minimumi që kërkon Bashkimi. Ndërsa Kupa, pse jo. I mungon ekipit që nga viti 2001. Atëherë Qëndrimi ka qenë 12 vjeç.
“Minimumi që kërkojmë është të arrijmë finalen. Ndërsa Kupa është synimi kryesor,” ka bërë të ditur Biraj, sot 27 vjeç.
Bashkimi takohet me Pejën në gjysmëfinale, të premten me fillim në ora 16:00.
“Ndeshja ndaj Pejës pres të jetë shumë interesante për faktin se nuk jemi përballur asnjëherë deri tani këtë stinor mes veti. Në fund, le të fitoj më i miri,” ka cekur kapiteni i portokallezinjëve nga Prizreni.
Bashkimi është ekipi me më së paku trofe të fituara nga katërshja e madhe në basketbollin kosovar. Mundësia e radhës nis nesër, ndërsa të drejtuar nga kryetrajneri Dragan Radovic, basketbollistët e ekipit pritet që të luftojnë për arritjen e synimit të tyre.