FINALJA
Finalja: Spanja - Lituania
20 September, 2015 @11:29
Eurobasket 2015 sot me ndeshjen Spanja-Lituania, do të përfundojë.
Cila skuadër do ta fitojë këtë organizim historik, ku për herë të parë është mbajtur në katër shtete të ndryshme: Gjermani, Kroaci, Letoni dhe në Francë?
Spanja, erdhi në këtë kampionat pa yje si Marc Gasol, Juan Carlos Navarro e Sergie Ibaka, gjë që bëri të mos ia nisin mirë fazën e grupeve, të cilët e përfunduan me 3 fitore e 2 humbje, edhepse u konsiderohej grupi i tyre “Grupi i vdekjes” me kundërshtarë si Serbia, Italia e Turqia.
Ndërsa lituanezët, ishin në një grup më të lehtë se sa spanjollët dhe e përfunduan grupin në vend të parë me 4 fitore e 1 humbje.
Matadorët deri në finale arritën, duke mposhtur në të tetën e finales, Poloninë, në çerekfinale Greqinë dhe në gjysmëfinale favoriten e kampionatit, Francën.
Kurse Lituania në tetën e finales e mposhti Gjeorgjinë, në çerekfinale Italinë dhe në gjysmëfinale, një tjetër favorit të kampionatit, Serbinë, ku së bashku me Francën deri në gjysmëfinale nuk kishin shijuar humbjen.
Spanja në historinë e saj, është bërë dy herë kampion në Eurobasket (2009, 2011), derisa 6 herë e përfundoi me medalje të argjendtë dhe tre herë me të bronztë.
Ndërsa Lituania, është bërë tre herë kampion (1937, 1939, 2003), dy herë e përfundoi me medalje të argjendtë dhe një herë me të bronztë.