PEJA
Fisnik Rugova i bindur
1 February, 2016 @21:41
Skuadra më në formë në Kosovë dhe në Ligën Ballkanike, Peja, nesër do ta zhvillojë ndeshjen e parë të fazës së dytë të Ligës Ballkanike, ku në palestrën “Karagaçi” do të takohet me ekipin bullgar, Levski.
Verdhezinjtë gjatë këtij edicioni e kanë mposhtur dy herë Levskin, ndërsa për fitoren e tretë është treguar i bindur edhe Fisnik Rugova, basketbollisti shtatlartë i Pejës, i cili ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
“Jemi përgatitur mjaft mirë, andaj besojmë në fitore. Kemi kaluar në fazën ku ndeshjet bëhen gjithnjë e më të forta dhe më të rëndësishme. Të martën duhet të japim 100 për qind dhe do të shënojmë fitore para tifozëve tanë. Levskin e kemi mposhtur dy herë gjatë këtij edicioni dhe e njohim mjaft mirë lojën e tyre. Ndeshjet e fundit na kanë dhënë më shumë vetëbesim që të vazhdojmë me suksese. Besoj që përparësi ndaj tyre është se jemi më të mirë në aspektin individual. Sidoqoftë ne për asnjë moment nuk do t’i nënçmojmë bullgarët, por do të hyjmë të përqendruar që nga minuta e parë e deri te ajo e fundit në mënyrë që në fund të largohemi nga parketi me fitore,” ka thënë Rugova.
Ndeshja ndërmjet Pejës dhe Levskit do të fillojë të martën nga ora 19:30.