MUSTAFË MEROVCI
Fitoi dëshira e madhe
4 December, 2013 @22:29
Njëra ndër skuadrat më simpatike në Superligë, Kastrioti, i befasoi të gjithë me fitoren ndaj Bashkimit të favorizuar, të cilin e mposhti me rezultat 79-76, dhe atë vetëm me basketbollistë vendorë.
Basketbollisti i ferizajasve, i cili në stinorin e kaluar ishte edhe lojtar i Bashkimit, Mustafë Merovci, tha se ndeshja ishte e barabartë dhe e nivelizuar gjatë gjithë kohës.
“Ka qenë një lojë e nivelizuar deri në fund, ku në sekondat e fundit u përcaktua edhe fituesi,” tha Merovci për Borozani.com.
“Vlen të ceket se kemi luajtur me vetëm gjashtë lojtarë dhe kemi qenë vetëm me lojtarë vendorë pasi që Cartwright është i lënduar. Dëshira e madhe për fitore ishte çelësi i suksesit tonë. Bashkimit i dëshirojë suksese të mëtutjeshme,” shtoi ai.
Në fund, Merovci e pranoi se fitorja e skuadrës së tij mund të quhet si befasi, duke pasur parasysh që ekipi prizrenas ka katër basketbollistë të huaj në përbërjen e saj.
“Besoj që është befasi e dorës së parë, kur mirret parasysh ekipi i Bashkimit që ka katër basketbollistë të huaj dhe një të Shqipërisë, ndërsa ne ishim vetëm me vendorë në këtë ndeshje,” përfundoi Merovci, i cili padyshim se ishte njëri ndër më meritorët në këtë fitore.