GAME 2: PRIZRENI - RAHOVECI
Fitore e Rahovecit në Prizren, barazohet seria
19 April, 2019 @20:47
Pas fitores dramatike në ndeshjen e parë të serisë në Rahovec, Prizreni u mposht sonte në “Sezai Surroi” nga skuadra e Rahovecit, duke bërë kështu që seria mes skuadrave të barazohet në 1-1.
Çereku i parë mes skuadrave kaloi me luftë të fortë dhe u mbyll me rezultat të barabartë, 18-18, derisa një epërsi të lehtë Prizreni e mori pas çerekut të dytë, të cilin e mbylli me 3 pikë më shumë se kundërshtari, për të shkuar kështu mes pjesëve me epërsi 3 pikëshe, 40-37.
I barabartë mes skuadrave ishte edhe çereku i tretë, në të cilin të dyja skuadrat shënuan nga 19 pikë, për të shkuar kështu në një çerek të katërt ‘premtues’ për të qenë ‘i nxehtë’.
E në çerekun e katërt, skuadra mysafire e Rahovecit e udhëhequr nga Arian Qallaku zhvilloi lojë fenomenale si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, për ta mbyllur ndeshjen me fitore 72-76. Vendimtar me shënimet e tij nga gjuajtjet e lira u tregua edhe Frederic Richardson, i cili po kalon një sezon fantastik në aspektin personal.
Më të dalluarit në këtë fitore të Rahovecit sonte ishin Arian Qallaku me 21 pikë, 11 kërcime e 3 asistime dhe Frederic Richardson me 18 pikë, 12 kërcime e 5 asistime, derisa për t’u përmendur është edhe paraqitja e të riut Atik Koshi, i cili në këtë përballje luajti me 15 pikë, 4 kërcime e 2 asistime.
Te Prizreni më të mirët sonte ishin Elliott Cole dhe Malcolm Canada me nga 16 pikë secili.
Fitorja e sontme bën që seria mes skuadrave të barazohet në 1-1, ndërsa për t’u përcaktuar skuadra që kalon në gjysmëfinale, duhet të zhvillohet një ndeshje e tretë vendimtare në palestrën e Rahovecit.
Siç dihet, fituesi nga ky çift çerekfinal në gjysmëfinale përballet me Yllin.