PRISHTINA - TREPÇA
Fitore rutinore e Prishtinës në kryeqytet
20 January, 2019 @17:42
Me fitore ka nisur stinori pranveror për skuadrën e Prishtinës.
Skuadra kryeqytetase sot shënoi fitore rutinore ndaj Trepçës në kryeqytet, për ta vazhduar bilancin perfekt këtë sezon.
Prishtinasit krijuan epërsi që nga çereku i parë dhe dilemë për fituesin e ndeshjes nuk kishte në asnjë moment, ndërsa rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 105-49.
Koshashënuesi më i mirë te Prishtina në këtë duel ishte Dardan Berisha me 16 pikë, si dhe 5 asistime e 1 kërcim, ndërsa paraqitje të mirë zhvilloi edhe Denis Krestinin me 11 pikë, 17 kërcime e 3 asistime. Lojtari i ardhur te Prishtina këtë afat kalimtar, Ahmed Bashir, ndeshjen e sotme e mbylli me 13 pikë, 5 kërcime e 1 asistim. Te mitrovicasit koshashënuesi më i miri në këtë përballje ishte Besnik Azemi me 15 pikë, ndërkohë që pikë dyshifrore te Trepça shënuan edhe Dwane Miner (14) dhe Samir Zekiqi (13).
Fitorja e sotme bën që dominimi i Prishtinës në Superligë të vazhdojë, kurse Trepça pas 15 xhirove ka bilanc 7-8.