PËR HERË TË PARË NË KËTË EDICION TË SUPERLIGËS
Fitorja e parë e Bashkimit ndaj Prishtinës, ngrit prizrenasit në renditje
20 March, 2024 @23:33
Për herë të parë këtë stinor, Bashkimi ka arritur të mposhtë Prishtinën në kuadër të Superligës, ndërsa ekipi portokallezi ka regjistruar fitore ndaj bardhekaltërve kryeqytetas pas tri humbjeve në kampionat.
Bashkimi ka bërë dallimin sonte në çerek të tretë të lojës (25-14) për të ruajtur epërsinë në çerekun e fundit (19-17) dhe të regjistrojë fitoren e 11 sezonale me rezultat 87-78.
Me këtë fitore, Bashkimi ka barazuar pikët me Vëllaznimin dhe për momentin ka marrë vendin e pestë në renditje me pikë të barabarta por me koshdallim më të mirë. Mirëpo, nëse në fund të stinorit të rregullt ekipet mbesin me pikë të barabarta, atëherë llogaritet rezultati i ndërsjellë i skuadrave gjatë stinorit, ku Vëllaznimi e Bashkimi në përballjet direkte janë ndarë 2-2, ndërsa gjakovarët kanë përparësi në koshdallim, që do t’i vendos ata më lart në tabelë.
Sa i përket duelit të sotëm, ka qenë ish-lojtari i Prishtinës që i ka shkaktuar më së shumti dëm pikërisht Prishtinës. Zeqiri ka pasur paraqitje tepër të mirë, duke shënuar 26 pikë e 9 kërcime në fitoren e ekipit të drejtuar nga Aleksandar Jonchevski.
Me 16 pikë ka luajtur Altin Morina, ndërsa 12 të tjera i ka shënuar Jalan McCloud, që ka bërë edhe 7 asistime për bashkëlojtarët gjatë ndeshjes, për të arritur fitoren e rëndësishme për ekipin.
Diamond Stone me 21 pikë e 10 kërcime, Derrick Wilson me 17 pikë, 4 asistime e 8 kërcime - nuk kanë mjaftuar për Prishtinën sonte dhe nuk kanë arritur ta ndalin humbjen e 11 sezonale të ekipit!
Në dy xhirot e fundit të stinorit të rregullt Bashkimi do të ketë punë me dy skuadrat më të mira të kampionatit, Trepçën dhe Pejën. Prishtina ndërkaq i shkon Pejës dhe pret Vëllaznimin në xhiron e fundit, derisa duket të ketë garantuar pozitën e katërt për t’ia nisur playoffit.