BASHKIMI IA BËN 3-1 PRIZRENIT NË SUPERLIGË
Bashkimi çon në playout Prizrenin, duke e fituar derbin lokal
18 March, 2024 @0:11
Derbi lokal i Prizrenit në Superligë ka përfunduar me fitoren e Bashkimit sonte ndaj PC Prizrenit, ndërsa me këtë fitore Bashkimi ka vulosur playoffin edhe matematikisht. Fitorja me rezultat 90-101 e Bashkimit ka bërë që portokallezinjtë e drejtuar nga Aleksandar Jonchevski të bëjnë bilancin e ndërsjellë në Superligë mes ekipeve 3-1 në të mirë të Bashkimit.
Lejson Zeqiri ka qenë në element sonte, ndërsa ka kryer ndeshjen me 26 pikë, 4 asistime e 8 kërcime, duke shutuar edhe 5/9 për tri pikë. Ai ka qenë koshashënuesi më i mirë i Bashkimit në këtë fitore, ndërsa pos tij, me 17 pikë është dalluar Isaiah Umipig e 15 të tjera i ka dhënë Erik Copes, që bëri edhe 8 kërcime.
Mundi i bardhezinjëve nuk mjaftoi për më tepër, ndërsa më të dalluarit në lojë te ekipi i drejtuar nga Rigon Hasi kanë qenë Ty Cockfield që kreu lojën me 27 pikë, duke u bërë koshashënuesi më i mirë i ndeshjes. Cockfield bëri edhe 4 asistime e 5 kërcime. As përvoja e Ivan Koljevicit nuk mjaftoi, përkundër se ky kreu lojën me double-double prej 16 pikësh e 11 kërcimesh.
Bashkimi tashmë i gjashti në renditje me mundësi kalimi në të pestin varësisht nga rezultatet e tre xhirove të mbetura të stinorit të rregullt ka bilanc 10-15, ndërsa Prizreni që pret kundërshtarin e playoutit ka bilanc 7-18.