RIKTHEHEN TE FITORJA
Pas tri humbjeve radhazi, Prishtina këndellet me fitore ndaj Istogut
17 March, 2024 @22:09
Seria e rezultateve negative për Prishtinën në Superligë ka përfunduar sonte, derisa në mbrëmjen e së dielës ekipi i drejtuar nga Albert Sylejmani ka parakaluar lehtë Istogun tashmë të rënë nga Superliga, duke e fituar ndeshjen me rezultat të thellë 125-71.
Prishtina ka dominuar pritshëm ndeshjen, ndërsa Sylejmani u ka dhënë rast lojtarëve që zakonisht marrin pak minuta në ndeshje për të bërë minuta në lojë. E këtë e ka shfrytëuar më së miri i riu Visar Ejupi, që ka shënuar 40 pikë, duke regjistruar rekord për pikë të shënuara për ndeshje në Superligë këtë stinor.
Diamond Smith ka luajtur me double-double prej 31 pikëve dhe 17 kërcimeve, ndërsa Donte Clark ka kryer lojën me triple-double prej 21 pikëve, 11 asistimeve dhe 13 kërcimeve.
Arian Azemi me 27 pikë dhe Orges Shatri me 22 të shënuara kanë qenë më të dalluarit te Istogu në këtë përballje.
Prishtina regjistroi fitoren e 15 kampionale dhe është e katërta në renditje pas 25 xhirosh, derisa për mbylljen e stinorit të rregullt kanë mbetur edhe tre xhiro. Istogu është me 1-24.