VUSHTRRIA - FERONIKELI

Fitorja e thellë, çon Vushtrrinë në pozitë të dytë
13 November, 2021 @8:10
Me një lojë të mirë të treguar veçanërisht në çerek të parë dhe të fundit të ndeshjes, Vushtrria ka dominuar tërësisht Feronikelin gjatë ndeshjes së mbrëmshme dhe në fund ka arritur të shënojë fitoren e katërt kampionale dhe atë me 30 pikë dallim nga kundërshtari, 83-53 [27-10, 16-14, 17-22, 23-7].
Vushtrriasit mposhtën mbrëmë Feronikelin në përballjen e fundit të xhiros së pestë të Ligës së Parë dhe me këtë fitore kanë kërcyer në pozitë të dytë të renditjes tabelare, falë edhe humbjes së Istogut, që të shtunën mbrëma nuk i bëri ballë AS Prishtinës në palestrën e re të Istogut.
Përndyrshe te Vushtrria mbrëmë, Shpat Syla me 22 pikë, 5 kërcime e 5 topa të rrëmbyer, bashkë me Engjëll Ramaj që dha 21 pikë e 6 asistime - kanë qenë më të dalluarit në fitoren e skuadrës së tyre.
Në anën tjetër, Feronikeli që ka humbur përkrahjen që e kishte dy vite më parë këtë po e shfaq edhe në rezultate, duke qenë se është skuadra e vetme në ligë pa fitore ende dhe ka bilans, 0-5, pas pesë xhirove të para.
Kreshnik Tigani dhe Bunjan Hasku me nga 17 pikë kanë qenë lojtarët më efikas të Feronikelit në përballjen e humbur mbrëmë në Jeton Tërstena - Tota të Vushtrrisë.
Vushtrria e dyta në renditje, ka bilans 4-1.