KOMENT
Fshesa e Realit dhe mallkimi i CSKA-së
Shkruan: Blerim Myftiu
17 May, 2014 @10:19
“El classico” i basketbollit ndërmjet dy gjigantëve sportivë spanjollë nuk e meritoi epitetin dhe namin.
Reali, disa hapa përtej Euroligës
Fshesa mbretërore duke e mbushur shportën katalonase plot 100 herë ia mundësoi vetes që pas finales së Ligës së kampionëve në futboll të kualifikohet edhe në atë të Ligës së kampionëve në basketboll. Favoriti dominues i ligës me vetëm tri humbje gjatë stinorit të rregullt evropian (2 prej tyre pas sigurimit të kualifikimit) dhe një humbje të vetme në ligën spanjolle, krijoi epërsi prej 38 pikësh ndaj Barcelonës.
Çereku i parë që përfundoi 20:20 premtonte një duel të barabartë. Mirëpo dy seri ishin vendimtare dhe dolën të jenë shkatërruese për Barcelonën. Në fillim të çerekut të dytë, seria 11:0 (për 31:20) në saje të zgjimit dhe “futjes në lojë” të MVP-së Rodriguez dhe aktivizimit të Rudi Fernandezit që ia pamundësoi Barcelonës shënimin në 5 minutat e parë të këtij çereku, ishte e para që ia dha kësaj goditjen dërrmuese. Kurse seria e dytë në çerekun tretë që rezultatin 56:47 e çoi në 70:47 ishte goditja e dytë, knockout-uese që shpuri gradualisht deri te diferenca +39 në favor të Realit duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 100:62 – gjysmëfinalja me diferencën më të madhe në historinë e Euroligës.
Kur hyn në shportë gjithçka që gjuan
Tomići i gjatë dhe dominues në trapez, i përcjellë me Huertasin që premtonte sonte dhanë shpresë në çerekun e parë për Barcelonën. Tomići kishte arritur që Bourousisin ta linte vetëm në 3 pikë gjatë tërë pjesës së parë, kurse treshja atomike e jashtme e Realit: Rodriguez-Fernandez-Llull, nuk e kishte gjetur ende veten. Por, seria e lartpërmendur në çerekun e dytë me dy treshe të Rodriguezit, driblingjet, asistimet dhe dinamika e tij në organizimin e lojës së madrilenëve, loja e shpejtë që e kishte karakterizuar tërë stinorin e tyre, u vendosën dalëngadalë në çerekun e dytë. Mirotići i çmuar e gjeti veten në çerekun e tretë dhe u bë shënuesi më i mirë i ndeshjes me 19 pikë dhe 4 kërcime, pas Rodriguezit që shënoi 21 pikë me precizitet 80% (4/5) për tri pikë. Bourousis i lartpërmendur bllokoi vijën qendrore Tomić-Lorbek, kontribuoi me 7 pikë. Fernandes dhe Llull ishin standardë, kurse veterani dhe kapiteni Reyes, shtatshkurtër për pozitën në të cilën luan, por gjithsesi luftarak, kontribuoi me 11 të tjerë. Mjafton të thuhet se Reali gjuajti për një pikë 92.3%, për dy pikë 60.5% dhe për tri pikë 48.3% për ta ilustruar superioritetin snajperistik në fushë.
Me plot meritë, Reali kualifikohet në finale dhe e kërkon titullin e nëntë të kampionit evropian, të parin pas 1995. Do të jetë hera e dytë rresht për të që luan në finale. Vjet ishte mposhtur nga Olympiacosi, të cilës skuadër iu hakmor sivjet në çerekfinalen e play-offit.
CSKA – sërish pa trofe, asgjë e re!
Atë që Reali paraqet sivjet duke u cilësuar në një mënyrë favoriti “absolut në hije” i Euroligës, e paraqiste para dy vitesh CSKA-ja e Moskës. Me të njëjtin autoritet kishte ardhur në finalen e Stambollit, ishte kualifikuar në finale, kishte arritur në +19 pikë në çerekun e tretë, por në fund ishte mposhtur me shënimin e Printezisit në sekondat e fundit. Kishte mbetur pa trofe, duke e shikuar Olympiacosin se si e ngrinte atë me ekipin modest që kishte.
Pas këtij triumfi të Olympiacosit, nuk ishte lehtë vjet të viheshin baste kaq të mëdha. Por, duke menduar se secila çudi nuk zgjat vetëm 3 ditë, por mund të jetë edhe një-sezonale, CSKA-ja ishte disi sërish një hap përpara. Sërish final-four, këtë herë në Londër, këtë herë në gjysmëfinale i njëjti kundërshtar. Sërish mposhtje nga Olympiacosi (që më pas e mposhti edhe Realin) dhe sërish pa titull kampioni.
CSKA-ja nga fundi i çerekut të tretë kishte +15 pikë epërsi (55:40). Por, u dëshmua edhe një herë se sërish nuk do të mjaftonte. Kthimi i dalëngadalshëm i Maccabit kulmoi me treshen e Blu për 67:66 për CSKA-në 13 sekonda para fundit, plus topi për rusët. Mirëpo, Khryapa deri atëherë i pagabueshëm dhe shumë i mirë, e lëshoi topin nga dora, duke mos qenë as nën ndonjë trysni të madhe, topi i rënë nga ai u kap prej Riceit që shënoi për epërsinë izraelite prej një pike. Sonny Weems nuk ishte i saktë në tentimin e sekondës së fundit për shënim. Maccabi siguroi kështu finalen e dhjetë evropiane në të cilën do të kërkojë titullin e gjashtë, të parin pas vitit 2005.
Të dielën mësohet kampioni i Evropës
Real dhe Maccabi do të luajnë për herë të dytë në finale. Në atë të vitit 1980, Reali ka qenë më i mirë me 89:85. Sivjet kanë qenë në të njëjtin grup, në fazën Top16. Në të dy rastet fitues ka qenë Reali. Spanjollët duket të jenë një hap përpara. Mirëpo, përvoja e dy turneve të fundit dhe rikthimi sensacional i Maccabit premtojnë duel interesant për të dielën, ora 20:00, në Milano.