BASHKIMI - PRIZRENI
Fund dramatik, Bashkimi këndellet në derbin lokal
7 October, 2018 @18:42
Në derbin e parë të qytetit të Prizrenit në histori të Superligës së Kosovës në basketboll, fituese doli skuadra e Bashkimit, e cila arriti ta mposhtë me rezultat 80-77 Prizrenin, rivalin lokal, për ta shënuar kështu fitoren e parë sezonale.
Skuadra e Prizrenit e filloi fuqishëm çerekun e parë, të cilin e mbylli në epërsi 18-27, ndërsa Bashkimi u tregua më i mirë në të dytin, për të shkuar në pushim me disavantazh prej 4 pikëve, 41-45.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, çereku i tretë i takoi Prizrenit, mirëpo ishte 10 minutëshi i fundit ai i cili përmbysi gjithçka. Në këtë çerek, Bashkimi zhvilloi mbrojtje dukshëm më të mirë dhe pranoi 11 pikë më pak se kundërshtari, për të arritur kështu te fitorja.
1 minutë para ndeshjes, kur rezultati ishte 76-74, një treshe e Ujkan Karanezit i dha epërsi pesë pikëshe Bashkimit, mirëpo menjeherë me treshe u përgjigj Cole i Prizrenit, për ta kthyer disavantazhin vetëm 2 pikësh 17 sekonda para fundit të ndeshjes. Pas ‘time out-it’, Cole i Prizrenit tentoi që ta barazojë rezultatin, mirëpo gjuajtja e tij ishte e pasaktë, e në pak sekondat e mbetura, Bashkimi fitoi gjuajtje të lira, njëra prej të cilave u shënua dhe ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 80-77.
Më i dalluari te Bashkimi sonte Jordan Capps (ndeshja e tij debutuese) me 28 pikë e 7 kërcime, kurse te Ponte Prizreni u veçua Elliot Cole me 29 pikë, 5 kërcime e 9 asistime.
Pas 3 xhirove, Bashkimi befasisht ka bilanc 1-2, kurse Prizreni debutues aktualisht ka bilanc 2-1.
Sa i përket xhiros së ardhshme, Prizreni e pret në shtëpi Yllin, kurse Bashkimi luan një tjetër takim të vështirë, ndaj Prishtinës në kryeqytet.