BULLGARIA - KOSOVA
Gati për duelin, njëra do të shënojë fitoren e parë
Teksti: FBK
7 September, 2016 @8:52
Reprezentacioni i Kosovës të mërkurën me fillim nga ora 17:00 në Sofje do të përballet me Bullgarinë në ndeshjen e tretë kualifikuese për Eurobasket 2017.
Pavarësisht dy disfatave në dy ndeshjet e para, basketbollistët tanë janë shumë të motivuar dhe atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë, andaj djelmoshat tanë besojnë se të mërkurën do ta bëjnë më të mirën në parket dhe do të dëshmojnë lojë sa më të mirë në duel me bullgarët.
Kosova në ndeshjen e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian ndaj Sllovenisë si mysafire është mposhtur me rezultat 113:68, kurse në takimin e luajtur në fundjavë si nikoqire në “Minatori” të Mitrovicës është mundur nga Ukraina me shifrat 70:63. Kundër ukrainasve, basketbollistët tanë kanë dëshmuar lojë shumë të mirë, ku ishin edhe shumë pranë fitores, por në pesë minutat e fundit doli në pah përvoja e mysafirëve, të cilët falë mbrojtjes së fortë dhe kërcimeve nën kosh ia dolën të kthehen në Ukrainë me fitore.
Bullgaria në dy ndeshjet e para kualifikuese është mposhtur së pari nga Ukraina dhe më pas edhe nga Sllovenia.