DRILON HAJRIZI
Gjithmonë për fitore
19 January, 2016 @18:59
Peja nesër mbrëma përfundon fazën e parë grupore të BIBL. Verdhezinjtë kanë siguruar vendin e parë në Grupin B dhe kjo ndeshje do të jetë duel sa për tu ngrohur para ndeshjeve të radhës.
Sidoqoftë, njëri ndër basketbollistët më të mirë të Pejës, Drilon Hajrizi, ka thënë se përkundër pozitës në tabelë, Peja do të jep maksimunin dhe do të kërkojë fitoren në këtë përballje.
“Ne do të japim maksimumin pa marrë parasysh kundërshtarin. Edhe në këtë ndeshje do të luajmë për fitore. Jemi favoritë dhe e kemi përkrahjen e tifozëve vendas, andaj besoj se do të dalim me sukses në fund. Mendoj se të dy ekipet janë pa presion. Të dyja e dimë fatin në vazhdim, njëra veç është e fundit, ndërsa tjetra e ka siguruar vendin e parë. Mendoj që do të jetë një lojë e qetë, pa tension, lojë e bukur për tifozë. Sukseset i dinë të gjithë, jemi të parët, por pjesa më rëndësishme fillon tani. Ndeshjet do të jenë më të forta dhe mendoj që tani do të shihet forca jonë reale,” ka thënë Hajrizi për faqen zyrtare të FBK-së sot.
Peja ka shënuar gjashtë fitore me radhë në Grupin B pas humbjes në ndeshjen e parë dhe ka siguruar vendin e parë në këtë grup.
Ndeshja zhvillohet nesër mbrëma në “Karagaç” me fillim prej orës 19e30.