REFERËT DHE VËZHGUESIT
Gjyqtarët prizrenas bojktojnë FBK-në
18 March, 2014 @18:59
Në një komunikatë të lëshuar për media Shoqata e Gjyqtarëve të Regjionit të Prizrenit ka marrë vendim që të ndërprejë çdo aktivitet të organizuar nga FBK.
Në mbledhjen e mbajtur dje ku morrën pjesë Urim Hasani, Kushtrim Çoçaj, Albert Cakaj, Fjolla Elshani, Hysen Hasani, Arben Elshani, Arbnor Rifati, Azem Hoxhaj, Agron Çeku e Anduena Rifati, është konkluduar se vëzhguesit dhe gjyqtarët janë diskriminuar dhe anashkaluar nga FBK.
Pakënaqësia, mospërfshierja dhe mosrespektimi i kritereve të caktuara - ka çuar në këtë vendim të SHGJRP-së, thuhet në vendimin e tyre.
Largimi i vëzhguesit Agron Çeku nga lista A në listën B, delegimi i Florentina Thaqit pa meritë në ndeshje të Superligës, ku ka vendin Fjolla Elshani. Mospërfshierja në asnjë ndeshje të gjyqtarit Kushtrim Çoçaj, përkundër vlerësimit të instruktorëve të kampit të referëve - janë ndër arsyet kryesore të cekura në këtë letër nga Shoqata e ndarësve të drejtësisë së Prizrenit.
Gjithashtu, gjyqtarët prizrenas kanë shfaqur brengën lidhur me mosangazhimin e nënkryetarit të FBK-së, Shaqir Totaj, për padrejtësitë ndaj bashkëvendasve që po bëhet.
“SHGJRP shpreh indinjatë të thellë për Fjolla Elshanin, që nuk është deleguar në Superligë, derisa Florentina Thaqi delegohet pa asnjë meritë në ndeshje të Superligës, përkundër të mospranisë së saj në testin e parë dhe të dytë të gjyqtarëve,” thuhet në njërën ndër pikat e arsyetimit të vendimit.
“Vëzhguesi Agron Çeku në testin e FBK-së ka pasur dy gabime dhe është larguar nga lista A në atë B, derisa kreu i FBK-së njëzëri ka thënë se deri në 3 gabime rezultati është pozitiv, e pastaj janë futur kriteret sipas qejfit të tyre,” thuhet ndër të tjera në letrën e nënshkruar nga kryetari i SHGJRP-së, Arbnor Rifati.