EURO U18 / DIV C / PËRFAQËSUESJA
HISTORIKE: Kosova U18 kampione evropiane e Divizionit C!
29 July, 2018 @21:33
Historike!
Pas triumfit në ndeshjen finale ndaj përfaqësueses së Qipros., Kosova është fituese e Kampionatit Evropian të basketbollit për grupmoshat U18, Divizioni C.
Djemtë e Kosovës e dominuan takimin që nga fillimi, duke zhvilluar lojë të shkëlqyeshme ekipore në sulm dhe mbrojtje tejet solide, me përjashtim të çerekut të katërt, ku qipriotët ishin më të mirë, mirëpo kjo nuk mjaftoi për ta befasuar Kosovën dhe ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 73-64.
Paraqitje fantastike për Kosovën sonte zhvilluan Rron Ukaj me 17 pikë, 8 kërcime e 2 asistime dhe Erhan Sholla me 17 pikë, 4 kërcime e 2 asistime, ndërsa veçanërisht në mbrojtje u dallua Dardan Kapiti, i cili përveç 4 pikëve, 4 asistimeve e 10 kërcimeve, pati edhe 3 bllokada.
Ky triumf historik i Kosovës bën që Kosova U18 në kampionatin e ardhshëm evropian të jetë pjesë e Divizionit B, pra ngjitet një divizion më lart, ndërsa Qipro edhe kampionatin e ardhshëm do të mbetet në Divizionin C.
Sa i përket vendit të tretë në këtë kampionat, ky vend i takoi Irlandës, përfaqësuese e cila në luftë për vendin e tretë fitoi me rezultat 93-91 ndaj Monakos.