FINALJA E EURO-U18 / DIV. C
Sonte mbusheni palestrën, Kosova U18 në finale
29 July, 2018 @11:51
Përkundër kushteve, kritikave, thashethemeve dhe çkadoje tjetër, djelmoshat e Kosovës U18 në basketboll kanë arritur që të shkruajnë emrin në finale të Kampionatit Europian U18 në Divizionin C.
Tashmë, ajo që u pa dje në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, s’duhet të përsëritet. Kosova U18 mposhtte Irlandën U18 të pamposhtur deri atëherë në ngjarjen që po zhvillohet për herë të parë në Kosovë nën patronatin e FBK-së të fituar nga FIBA, ndërsa irlandezë kishte më shumë në palestër sesa adhurues të Kosovës!!!
DUELI NË 19:30 NË PRISHTINË
Sot luhet finalja e Europianit të Divizionit C. Kosova në finale takohet me ekipin që e kishte dhe që u mposht në Grupin B, Qipron U18. Rast ideal për revansh të djelomshave të drejtuar nga Ibrahim Karabeg dhe ekipi i tij, ndërsa tashmë nuk ka arsye së paku ata që janë në kryeqytet të mos i rezervojnë dy orë për t’i përkrah - të dielën - shpresat e Kosovës.
Pra sonte, me fillim prej orës 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, Kosova U18 luan ndeshjen më të rëndësishme të reprezentacionit të basketbollit të Kosovës prej se ajo u pranua në FIBA. Bileta kushton sa një kafe ose çaj që mund ta pini sot jashtë shtëpisë.
SUKSESI HISTORIK, AFËR
Në rast të triumfit, Kosova U18 në Kampionatin Europian të radhës do të jetë pjesë e Divizionit B, ku do të luajë me ekipet edhe më të forta europiane sesa tash.
Mendrit Ademi, Baton Dervishi, Meriton Ismaili, Erhan Sholla, Rilind Krasniqi, Engjull Sollova, Rron Ukaj, Leon Neziri, Rinor Emerllahu, Dardan Kapiti, Idoll Pallushi dhe Gazzali Makasqi - tashmë janë shumë afër për të arritur medaljen e artë dhe trofeun e parë në këtë lloj gare për Kosovën.
E përkrahja atyre u duhet më shumë se kurrë.
Suksese djem!