EKIPI NGA DURRËSI
Debutues i radhës në BIBL, nga Shqipëria
27 July, 2018 @14:29
Përveç ekipit të KB Shkupit që do të debutojë këtë stinor në BIBL, liga në fjalë ka zyrtarizuar edhe debutuesin e radhës aty.
Fjala është për fituesin e Kupës së Shqipërisë në stinorin e fundit dhe finalistin e PlayOffit, ekipin nga Durrësi, Teuta.
Me këtë, Teuta bëhet ekipi i dytë nga Shqipëria që do të merr pjesë në BIBL, ndërsa numri i ekipeve shqiptare pjesëmarrëse në histori të BIBL është tre, duke shtuar këtu edhe Vllazninë, që ka qenë më parë anëtare.
Teuta stinorin e kaluar fitoi dy trofe (Kupa e Shqipërisë dhe Superkupa) në drejtimin e trajnerit të talentuar malazias, Boban Ninic dhe tash pasi vazhduan me këtë trajner, kanë vendosur të aplikojnë edhe në BIBL, që veçse u arrit.
Kështu, prej tetë ekipeve pjesëmarrëse sa është e planifikuar të ketë BIBL këtë stinor, tashmë gjashtë janë konfirmuar, ku janë nga dy pjesëmarrëse nga tre shtete të ndryshme.
Akademik Bultex 99 dhe Beroe nga Bullgaria, Kozuv dhe Shkupi nga Maqedonia si dhe Tirana e Teuta nga Shqipëria.
Nga Kosova, ende asnjë ekip nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen për këtë stinor, derisa ka edhe dy vende të lira në ligë për tu mbyllur kërkesa e ligës.