EURO U18 / DIV C / PËRFAQËSUESJA
Kosova dorëzohet në sekondat e fundit
24 July, 2018 @22:02
Pas fitores në ndeshjen e parë ndaj San Marinos, Kosova U18 është mposhtur në sekondat e fundit në ndeshjen e dytë të zhvilluar ndaj Qipros në kuadër të Kampionatit Evropian, Divizicioni C, që po mbahet në Prishtinë.
Ndeshja filloi më mirë për qipriotët, mirëpo djelmoshat e Kosovës dalëngadalë u këndellën dhe që nga çereku i dytë ishin gjatë gjithë kohës në avantazh, mirëpo kur u mendua se ndeshja do të mbyllej me fitore, qipriotët nuk u dorëzuan dhe në minutat e fundit të ndeshjes e rikthyen epërsinë në anën e tyre. Në çastet vendimtare të ndeshjes, kur rezultati ishte 63-62 për Kosovën dhe kishin mbetur rreth 10 sekonda lojë, Erhan Shollës iu dridh dora nga vija e gjuajtjeve të lira, duke humbur dy të tilla, e në anën tjetër qipriotët shënuan me kundërsulm afro 1 sekondë pa përfunduar ndeshja dhe e mbyllën duelin me fitore 63-64.
Paraqitje të shkëlqyeshme realizoi Rron Ukaj, i cili sonte pati 14 pikë e 13 kërcime, ndërsa u dallua edhe Dardan Kapiti, i cili sonte luajti me 13 pikë, 10 kërcime, 4 bllokada e 3 asistime, por këto dhe 13 pikët e shtuara nga Meriton Ismaili nuk mjaftuan për një fitore të Kosovës.
Pas 2 ndeshjeve të para, Kosova ndodhet e dyta në Grupin B me 3 pikë, 1 më pak se Qipro lider, ndërsa ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Gjibraltarit pas 2 ditëve.