EURO U-18/ DIV C
Kosova U18 në finale
28 July, 2018 @18:44
Basketbollistët e përfaqësueses së Kosovës U18 duke e mposhtur Irlandën U18 në gjysmëfinalen e zhvilluar sot në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, kanë arritur në finale të Kampionatit Europian të Divizionit C për grupmoshat U18.
Kosova U18 ka bërë lojë më të mirë në pjesë të parë, ku çerekun e parë e fitoi 21-16 e të dytin 18-14 për të krijuar avantazh 9 pikësh në fund të 20 minutave të para lojë.
Në pjesë të dytë, ndeshja shkoi shumë ngushtë, por Kosova U18 e drejtuar nga selektori Ibrahim Karabeg, nuk ka lejuar të befasohet dhe në fund me rezultatin përfundimtar 69-55, arriti fitoren.
Kapiteni Erhan Sholla ka qenë lojtari më i vlefshëm i skuadrës sot. Ai përfundoi ndeshjen me 15 pikë, 13 kërcime dhe 3 asistime.
14 pikë e 10 kërcime shtoi Rilind Krasniqi, ndërsa 13 të tjera i dha Leon Neziri, bashkë me 9 kërcime e 4 asistime. Edhe Rron Ukaj përfundoi takimin me double-double, 12 pikë, 11 kërcime.
Irlanda U18 kishte përfunduar Grupin A me 4 fitore nga 4 ndeshje dhe ishte favorit para ndeshjes ndaj Kosovës U18.
Kosova U18 në finale do të takohet me fituesin e përballjes Qipro U18 - Monako U18 që luhet sonte prej orës 19:30.
Shpresat e Kosovës kanë pasur Qipron U18 në Grupin B, prej të cilëve ishin mposhtur në fund të takimit.
Nëse në finale Kosovës i bie Qiproja, atëherë kjo do të ishte një mundësi e mirë për revansh.
Përndryshe, në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit më shumë ka pasu sot tifozë irlandez sesa të Kosovës.