PARA SUPER DUELIT

Inter - Barcelona, 11-shet e mundshme dhe deklaratat
6 May, 2025 @14:29
Një klasike e vërtetë e Ligës së Kampionëve u zhvillua në Barcelonë, me vendasit që u rikthyen nga disavantazhi 2-0 dhe 3-2 për të barazuar rezultatin dhe për ta lënë këtë përballje të hapur. Një pjesë e madhe e këtij rikthimi erdhi falë paraqitjes frymëzuese të Lamine Yamal, i cili u bë golashënuesi më i ri në historinë e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve.
Përpara 17-vjeçarit, ishte Marcus Thuram që shënoi golin më të shpejtë ndonjëherë në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, vetëm pas 30 sekondash. Mbrojtësi i spikatur Denzel Dumfries shënoi dy herë nga goditjet standarde – fillimisht për të dyfishuar epërsinë e Interit dhe më pas për ta rikthyer atë pas përgjigjes nga Yamal dhe Ferran Torres. Ndërkohë, goditja fantastike e Raphinha-s që përfundoi në rrjetë pasi preku traversën dhe portierin Yann Sommer, vulosi barazimin përpara ndeshjes kthyese të së martës në Milano.
Sipas Frenkie de Jong, Barça do të fokusohet në përmirësimin e mbrojtjes nga goditjet standarde përpara përballjes vendimtare. Nga ana tjetër, Interi po harton strategji për të ndalur Yamal, ndonëse trajneri Simone Inzaghi e pranon se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, duke e përshkruar talentin e ri si “një lojtar që lind një herë në 50 vjet”. Ndeshja e parë përfundoi 3-3 dhe sonte gjithçka është e hapur, kur dihet se golat si mysafir nuk kanë vlerën e dikurshme.
Shumë nga lojtarët e Inzaghit kanë ende në mendje finalen e humbur të vitit 2023 kundër Manchester City, me nëntë nga lojtarët e skuadrës aktuale që kanë qenë pjesë e asaj përballjeje. Ndërkohë, Barça synon finalen e parë që nga triumfi i tyre i fundit në vitin 2015.
FORMACIONET E MUNDSHME:
INTER XI:
Sommer; Bisseck, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Çalhanoğlu, Mkhitaryan, Dimarco; Taremi, Thuram;
BARCELONA XI:
Szczęsny; Eric García, Ronald Araújo, Cubarsí, Iñigo Martínez; De Jong, Pedri; Yamal, Olmo, Raphinha; Ferran Torres;
Përndryshe, trajnerët e ekipeve përkatëse kanë dhënë këto deklarata para ndeshjes:
“E dimë rëndësinë e ndeshjes. Na duhet një super paraqitje ndaj një ekipi të madh, që edhe e pamë në përballjen e parë. Na duhet një Inter sulmues dhe me qartësi dhe ftohtësi në kokë. Grupi i beson vetes, ata e duan atë dhe mezi po e presin ndeshjen” — Simone Inzaghi, trajner i Interit.
“Kur e nisëm stinorin, askush nuk kishte ide se çka do të arrijmë. Veçse kemi fituar dy trofe këtë stinor. Të gjithë lojtarët janë përmirësuar ndeshje pas ndeshjeje. Tash jemi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe duhet të kënaqemi me këtë gjë, të kënaqemi duke luajtur dhe t’i tregojmë të gjithëve kush jemi” — Hansi Flick, trajner i Barcelonës.
Ndeshja fillon në ora 21.00 dhe zhvillohet në “San Siro” të Milanos, ndërmjet 3-herë fituesit të Ligës së Kampionëve, Interit dhe 5-herë fituesit të Ligës së Kampionëve, Barcelonës. Ndeshja e parë në Barcelonë, kishte përfunduar 3-3!